Luciano Spalletti ka të drejtë kur thotë se episodet e penalizuan Italinë të enjten mbrëma në “San Siro”. Në statistikat e përgjithshme të kësaj çerekfinaleje të Ligës së Kombeve, gjuajtjet, gjuajtjet në portë dhe rastet e pastra, Italia doli më mirë se Gjermania, edhe pse me një diferencë të vogël.
Nuk janë shifra të parëndësishme, përkundrazi. Janë të dhëna objektive të ndeshjes, analizë e cila bëri që trajneri axurr ta komplimentonte skuadrën e tij pavarësisht humbjes: “Ishte një paraqitje pozitive, lojtarët e mi e lexuan mirë ndeshjen”.
Italia që në fillim e kuptoi se nuk mund ta fitonte këtë sfidë përmes zotërimit të topit. Ia la këtë aspekt Gjermanisë dhe në fund të fundit, nuk ishte ky faktori vendimtar. Në pjesën e parë, skuadra e Nagelsmann nuk e vuri kurrë në vështirësi Donnarummën, ndërsa në pjesën e dytë, sërish, goditjet ajrore (krosimet) i dënuan axurrët.
Gabim pozicionimi në një harkim nga distanca (por pse Di Lorenzo dhe Bastoni vazhdonin të ndërronin rolet) dhe një tjetër gol i pësuar nga goditja standarde. Italia po mbrohet gjithnjë e më keq në këtë aspekt…
Në mes të këtyre momenteve, pati shumë mundësi për Italinë. Moise Kean pati një rast të artë për të dyfishuar rezultatin në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë, portieri Baumann bëri disa pritje vendimtare, duke penguar edhe përpjekjet finale të Tonalit e shokëve të tij pas golit të Goretzka për 1-2.
Pas Kampionatit Europian katastrofik të vitit të kaluar, Italia ka gjetur një identitet taktik. Mbrojtja me tre lojtarë është themeli mbi të cilin Spalletti ka rindërtuar formacionin. Një skuadër shumë ndryshe nga ajo që u mund lehtësisht në Gjermani, verën e kaluar. E megjithatë, kjo është humbja e dytë radhazi e Italisë, diçka që nuk ndodhte prej më shumë se 10 vitesh, që nga koha e Cesare Prandellit. Përse?
Një arsye e madhe është forca e kundërshtarëve. Franca dhe Gjermania janë skuadra të nivelit më të lartë, ndërsa Italia aktualisht nuk është ende në atë nivel. Pavarësisht identitetit taktik dhe përmirësimeve të dukshme, Italia nuk ka lojtarë të kalibrit të Musiala apo Sané. Ka një grup të mirë lojtarësh, por për kampionët e vërtetë duhet kërkuar diku tjetër, veçanërisht në repartin ofensiv.
Kjo e Spallettit është gjithashtu një kombëtare e re: të enjten mbrëma, mosha mesatare e Italisë ishte 25.6 vjeç, ndërsa e Gjermanisë 28.8 vjeç. Kjo diferencë u vu re në momentet kyçe, kur Italia tregoi pasiguri, ndërsa gjermanët nuk falën. Goli i dytë i Gjermanisë erdhi pasi Italia kishte dështuar të shënonte për 2-1 në disa raste. Ndëshkimi i dytë erdhi nga një tjetër goditje standarde, një tjetër duel ajror i humbur.
Pasi flasim për centimetra dhe përvojë, kthehemi tek individët. Gjermanët kanë lojtarë si Tah, Rüdiger apo Goretzka, të cilët kombinojnë aftësinë teknike me fuqinë fizike. Italia, për momentin, mundet vetëm ta admirojë një fuqi të tillë nga larg.
The post ANALIZA / Italia ka tashmë një identitet, por ende jo forcën e gjigantëve të tjerë europianë appeared first on Telesport.
