Nuk ka “arratisje”. Interi i përgjigjet Napolit dhe e ndjek hap pas hapi skuadrën e Antonio Contes, i cili ëndërronte të shkëputej edhe duke llogaritur “*” (ndeshjen e prapambetur) në tabelë. Jo pa vuajtje, zikaltrit e Simone Inzaghit, që arrijnë 51 gola në 20 ndeshje, mposhtën Empolin dhe u rikthyen virtualisht me pikë të barabarta (duke llogaritur edhe ndeshjen e prapambetur), konkretisht -3 pikë nga të kaltërit kryesues të tabelës.

Protagonistët e mbrëmjes ishin tre: Lautaro, që është rikthyer te goli; Thuram dhe Dumfries, që nuk ishin larguar askund. Rinovimi e ka gjallëruar holandezin, golashënuesin kryesor të Interit në këtë fillim të vitit 2025. Ndërsa argjentinasi duket përfundimisht i rikthyer. Goli i dytë radhazi në “San Siro” është kujtesë e dobishme për ata që nxituan me verdiktet.

Sidoqoftë, nuk janë vetëm ata. Sepse kundër Empolit, prova e parë e vërtetë i takoi Kristjan Asllanit. I kritikuar ashpër për paraqitjet e fundit dhe për hendekun me Calhanoglu, shqiptari iu përgjigj me një paraqitje të mirë. Në një këndore dha edhe asistimin, ndërsa përgjithësisht përballoi presionin.

Fishkëllimat kundër Bologna, në të vërtetë, nuk përfshinë gjithë stadiumin, por nuk ishte aspak e lehtë të rikthehej në “San Siro” pa ndjerë pasojat. Pikëpyetja kryesore mbetet: a mund të jetë ai, pasardhësi i Calhanoglu? Për momentin, përgjigja është më shumë “jo” sesa “po”, por shqiptari do të ketë ende ndeshje për ta sprovuar veten.

Më të zhgënjyer janë ata që prisnin më shumë nga Piotr Zielinski dhe Mehdi Taremi. Polaku është ai që e kujtojnë te Napoli; një ndeshje e mirë dhe tri të dobëta. Kjo nuk është çështje e vogël, sepse nuk ka justifikimin e moshës së re si Asllani, ndaj ndoshta zhgënjen edhe më shumë. Pritej të rivalizonte me Mkhitaryan, por aktualisht është shumë larg.

Ndërkohë, iraniani ende e ka të largët golin. Në paraqitjet e fundit nuk ka ndihmuar as në ndërtimin e lojës dhe as nuk ka bërë punën e rëndë, siç e vlerëson stafi i Inzaghit. “Kritika të tepërta ndaj tij”, – tha Farris pas ndeshjes. Megjithatë, në makinerinë e golave të ndërtuar në “Appiano Gentile”, firma e tij fillon të mungojë më shumë se ç’duhet.

The post ANALIZA / Nuk ka “arratisje”, Interi i përgjigjet Napoli. Provë pozitive e Kristjan Asllanit appeared first on Telesport.