Një seancë gjyqësore për mashtrim fiskal kundër trajnerit aktual të Real Madridit, Carlo Ancelotti, është caktuar për të mërkurën, më 2 prill. Prokuroria e Madridit ka ngritur akuza ndaj trajnerit italian për mos shlyerje në kohë të rreth një milion eurove ndaj thesarit të shtetit spanjoll gjatë viteve fiskale 2014 dhe 2015.

Kjo ishte pikërisht koha kur Ancelotti e udhëhoqi për herë të parë ekipin e tanishëm kampion të Europës. Për këtë arsye, akuza kërkon dënimin e “Carletto” me 4 vite e 9 muaj burg.

Sipas burimeve ligjore të konsultuara nga ANSA, ka ende mundësi për një marrëveshje të mundshme para seancës. Në rast të një marrëveshjeje, ajo do të bëhet e njohur gjatë asaj seance. Gjyqi do të mbahet me fillim në orën 10:00 në seksionin e 30-të të Gjykatës Provinciale të Madridit.

I pyetur për këtë në konferencën e fundit për shtyp, trajneri italian u shpreh: “Është një çështje e rëndësishme. Po, duhet të shkoj të dëshmoj. Ky nuk është vendi për të diskutuar rreth kësaj. Çështja e javës së ardhshme është një apelim që ka bërë prokuroria, sepse unë e kam fituar gjyqin. Kam besim te ligji, nuk jam i shqetësuar në këtë drejtim”.

The post Ancelotti në gjyq për mashtrim fiskal, prokuroria kërkon 4 vite e 9 muaj burg për të appeared first on Telesport.