Një humbje që peshon shumë. Por ende nuk dihet nëse kjo do të jetë ndeshja e tij e fundit në Champions League me Real Madridin. Carlo Ancelotti, trajneri i “Los Blancos”, nuk është shprehur i qartë:
“Tani jemi në garë për La Liga-n, kemi përpara finalen e Kupës së Mbretit, Kupën e Botës për Klube… Është një sezon i pafund, por duhet të ngrihemi sërish. Është një pjesë tjetër e futbollit të cilën nuk jemi mësuar ta përjetojmë. E ardhmja ime? Nuk e di çfarë do të ndodhë dhe nuk dua ta di”.

Më tej, duke folur për “Sky Sport”, pas humbjes 2-1 në shtëpi ndaj Arsenalit, që solli eliminimin e “Los Blancos” në çerekfinalet e Champions League, trajneri italian shtoi: “E zhvilluam mirë ndeshjen, pati shumë ndërprerje. Na duhej një moment ndezjeje, ajo penallti që nuk na u dha mund të ishte ky moment. Sidoqoftë, Arsenali e meritoi kalimin e raundit”.

Çfarë nuk funksionoi në planin e lojës: “E provuam, por të rikuperonim rezultatin 3-0 ishte e vështirë. Arsenali ishte shumë mirë i organizuar. Duhet të pranojmë edhe anën e trishtuar të futbollit, sepse sezoni vazhdon. Në këtë kompeticion kemi pasur shumë kënaqësi, por këtë vit nuk shkoi mirë. Rruga deri këtu ishte e vështirë, në çerekfinale patëm përballë një skuadër që ishte më e mirë se ne”.

Për të ardhmen e tij ka nisur të flitet shumë: “Asgjë e re. Të dielën kemi një tjetër ndeshje, pas 10 ditësh finalen e Kupës së Mbretit, në verë Kupën e Botës për Klube dhe jemi ende në garë për kampionatin. Kam shumë gjëra për të menduar, më tepër se për këto hollësi”.

The post Ancelotti: Nuk e di çfarë do të ndodhë me të ardhmen time, as nuk dua ta di appeared first on Telesport.