Pas javës së shtatë në Ligën e Parë, Struga TL dhe Vardari janë ndarë në tabelë në krahasim me konkurrentët e tyre, dhe sot Shkëndija ka një mundësi t’u afrohet atyre në dy pikë diferencë. Kjo do të ndodhë nëse Shkëndija shënon fitore në ndeshjen e shtyrë të javës së katërt, kundër Rabotniçkit.
Shkëndija ka dy barazime dhe katër fitore deri më tani, dhe tani dëshiron një triumf të ri për të vazhduar ndjekjen e dy ekipeve në krye të renditjes. Nga kampi i kampionëve njoftojnë se vijnë në Shkup pas 3 pikëve. Ata e respektojnë kundërshtarin, por janë gati për tri pikët e reja në kampionatin vendor të futbollit.
“Atmosfera në ekip është e mirë. Tani kemi një orar të ngjeshur përpara dhe çdo ndeshje është e rëndësishme. Ne synojmë një rezultat pozitiv, ndërsa rezultat pozitiv për Shkëndijën është vetëm fitorja. Rabotniçki pati një krizë në fillim të kampionatit dhe tani është në një formë disi më të mirë. Çdo klub që luan kundër Shkëndijës është i motivuar dhe ne duhet të japim maksimumin tonë. Duhet ta marrim seriozisht çdo ndeshje”, thotë lojtari i Shkëndijës, Anes Meliqi.
Për Shkendijën, ndeshjet e Ligës së Konferencës do të fillojnë së shpejti dhe Meliqi thotë se kampionati vendor është në vend të parë të prioriteve.
“Shkëndija luan në tre fronte, por fronti më i rëndësishëm është kampionati vendor, sepse në fund të fundit, suksesi në kampionatin vendor sjell më pas garat evropiane. I gjithë fokusi është në kampionatin vendor. Konkurrenca në ekip është e madhe. Shkëndija ka 25 lojtarë, dhe ndodh që një ditë të jesh në ekip, nesër rezervë, pasnesër në tribuna, por çdo lojtar është i rëndësishëm për klubin dhe besoj se të gjithë ata që do të jenë në fushë do të japin maksimumin në mënyrë që në fund të mund ta mbrojmë titullin dhe të jemi përsëri kampion”, tha Meliqi.
Përballja Rabotniçki – Shkëndija, do të zhvillohet në qendrën stërvitore “Petar Milloshevski” në Shkup, në orën 15.30.
The post Anes Meliqi: Synojmë rezultat pozitiv ndaj Rabotniçkit appeared first on Alsat.
