Arben Fetai: VLEN është gurthemeli mbi të cilin ndërtojmë të ardhmen tonë

Në konventën promovuese të koalicionit VLEN për zgjedhjet lokale, zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, theksoi rëndësinë e koalicionit si një alternativë e fuqishme për ndryshim në nivel lokal.

“VLEN është gurthemeli mbi të cilin ne ndërtojmë të ardhmen tonë,” deklaroi Fetai, duke nënvizuar se njerëzit që qëndrojnë pas këtij projekti politik janë të përkushtuar, të ndershëm dhe të lidhur ngushtë me realitetin dhe nevojat e qytetarëve.

“Janë njerëz të cilët nuk i kanë borxh askujt, përveç se juve. Nga bija dhe bijtë e këtij populli që kanë ndjerë hallet tuaja dhe kanë guximin të përballen me to,” u shpreh ai, duke vlerësuar përfshirjen e individëve me integritet dhe vizion për të ardhmen.

Fetai shtoi se përmes VLEN-it synohet ndërtimi i një qeverisjeje lokale që i jep fund politikave klienteliste dhe vendos qytetarin në qendër të vendimmarrjes. /SHENJA/