
Sot, gjatë protestës së studentëve, janë shfaqur tensione dhe akuza për ndërhyrje politike në një tubim që studentët e kanë cilësuar si jopartiak dhe të fokusuar në të drejtat e tyre.
Sipas një reagimi publik të Arbër Ademi, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti dyshohet se ka tentuar të provokojë situatën përmes një aktivisti të tij, të identifikuar si Besnik Haliti nga Çairi, i cili – sipas tij – nuk është student.
Ademi pretendon se qëllimi i këtij veprimi ka qenë komprometimi i protestës dhe devijimi i saj nga kërkesat kryesore studentore, duke e cilësuar si një përpjekje për ta njollosur një kauzë studentore dhe jopartiake.
“Kur nuk mund ta ndalosh protestën, përpiqesh ta njollosësh. Por, dështuan”, thuhet në reagimin e tij.
Nga ana tjetër, deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Izet Mexhiti lidhur me këto akuza.
Protesta vijoi pa incidente të mëdha, ndërsa studentët ritheksuan se do të vazhdojnë angazhimin e tyre deri në realizimin e kërkesave të tyre.
