Arka e shtetit më e pasur se kurrë: Mbi 4,1 miliardë denarë nga tarifat rrugore

Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore (NPRSH) e mbyll vitin 2025 me një rekord historik në arkëtimin e tarifave rrugore. Deri më 23 dhjetor, në arkën e shtetit nga tarifat janë derdhur gjithsej 4.158.914.362 denarë, përkatësisht rreth 67.624.624 euro.

Sipas drejtorit të NPRSH-së, Koce Trajanovski, ky rezultat e bën vitin 2025 rekord absolut, duke i tejkaluar të gjitha vitet e mëparshme edhe para përfundimit zyrtar të vitit kalendarik. Të dhënat tregojnë se arkëtimi deri më 23 dhjetor është rritur për më shumë se 71 milionë denarë krahasuar me arkëtimin total të gjithë vitit 2024, i cili gjithashtu ishte rekord. Duke pasur parasysh qarkullimin e shtuar gjatë festave deri në fund të dhjetorit, pritet që diferenca përfundimtare të jetë edhe më e madhe.

Analiza e të dhënave tregon një rritje të vazhdueshme dhe të ndjeshme të të ardhurave gjatë pesë viteve të fundit, e cila i atribuohet rritjes së volumit të qarkullimit, rritjes së çmimeve në periudhën e kaluar, por edhe përmirësimit të efikasitetit të pagesës elektronike, si dhe nismës “Ballkani i Hapur”, e cila nisi zbatimin në verën e vitit 2023. Të ardhurat nga tarifat rrugore sipas viteve janë: 34.029.562 euro në vitin 2020, 46.401.122 euro në 2021, 53.242.070 euro në 2022, 62.077.966 euro në 2023, 66.463.963 euro në 2024 dhe 67.624.624 euro në vitin 2025 deri më 23 dhjetor.

Përveç rezultateve financiare, NPRSH po ndërmerr hapa të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të pagesës. Pas një thirrjeje publike të realizuar, janë lidhur kontrata për shpërndarjen dhe pagesën e pajisjeve elektronike me dy operatorët më të mëdhenj të telekomunikacionit – A1 Maqedonia dhe Telekomi i Maqedonisë. Aktualisht po zhvillohet integrimi i softuerëve aplikativë ndërmjet NPRSH-së dhe personave juridikë për vënien në funksion të shërbimeve me M-TAG, njoftojnë nga ndërmarrja.

Këto ndryshime u bënë të mundura pasi Kuvendi, në qershor të këtij viti, ndryshoi Ligjin për Rrugët Publike, duke lejuar operatorë të jashtëm të kryejnë shitjen dhe rimbushjen e pajisjeve elektronike – shërbim që deri tani ishte i disponueshëm ekskluzivisht në ambientet e NPRSH-së. Pritet që modeli i ri të ulë ndjeshëm kohën e pritjes, të rrisë përdorimin e pagesës elektronike dhe të mundësojë qarkullim më të shpejtë të automjeteve në pikat e pagesës.