Katër shtetas të Shqipërisë janë arrestuar në territorin e Republikës së Serbisë, transmeton TV21. Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë bëjnë të ditur se shtetasit e Republikës së Shqipërisë janë arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare.
“Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Policisë Kriminalistike, kanë arrestuar në territorin e Republikës së Serbisë A. S. (1989), E. V. (1984), E. G. (1978) dhe A. C. (2005), shtetas të Republikës së Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare.
Dyshohet se A. S., sot, në ditën e shënimit të fillimit të agresionit të NATO-s, në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka publikuar një video në të cilën ndodhet në një automjet “Audi”, së bashku me të dyshuarit e tjerë, gjatë lëvizjes në autostradë nëpër Serbi, ku në mënyrë të papërshtatshme kanë shfaqur simbole të “Shqipërisë së Madhe”, si dhe kanë përmendur verbalisht, në kontekst negativ, Republikën e Serbisë, duke përdorur fjalë të papërshtatshme.
Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës, me kallëzim penal, do të dërgohen në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd – Departamenti i Posaçëm për Luftimin e Krimit të Teknologjisë së Lartë”, bëjnë të ditur nga MPB e Serbisë.
