Vendi mbetet në vendnumëro në luftën kundër korrupsionit. Për vitin 2025, Maqedonia e Veriut ka marrë sërish 40 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, pa shënuar përparim thelbësor, edhe pse formalisht është renditur katër vende më lart, në pozitën e 84-të.

Ky përmirësim lidhet më shumë me përkeqësimin e rezultateve të disa shteteve të tjera, thotë kryetari i Transparency internacional, Bllagoja Pandovski.

“Kemi kërcim për katër vende, për dallim me vendin e 88-të që kishim vitin paraprak (2024), këtë vit jemi në pozitën e 84. Nëse e krahasojmë më rënien globale të luftës së shteteve kundër korrupsionit kjo do të thotë se katër shteteve për dallim nga viti kaluar u ka shkuar më keq se ne këtë vit, në luftën kundër korrupsionit”, tha Bllagoja Pandovski.

Problemet kryesore sistemike vazhdojnë të mbeten reformat e pasuksesshme dhe të papërfunduara në gjyqësor dhe prokurori theksojnë nga kjo organizatë.

“Problemet kryesore sistemike vazhdojnë të mbeten reformat e pasuksesshme dhe të papërfunduara në gjyqësor dhe prokurori, të cilat nuk arrijnë të sigurojnë një sistem drejtësie efikas, të pavarur dhe të përgjegjshëm. Për më tepër, ngjarjet që lidhen me ish-kryetaren e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kanë dëmtuar seriozisht besimin e publikut në institucionet përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit. Po ashtu, shqetësim paraqet edhe procesi jo transparent i përgatitjes së ndryshimeve në Kodin Penal, si dhe përmbajtja e tyre, e cila jo vetëm që nuk ka kontribuar në forcimin e kuadrit anti-korrupsion, por në disa segmente e ka dobësuar atë”, deklaroi Pandovski.

Bullgaria njëjtë si Maqedonia ka 40 poenë dhe është në pozitën e 84-të. Ndërkaq vlerësimi i ri bën që Kosova të renditet e 76-ta në botë nga gjithsej 182 vende dhe territore, apo tri pozita më poshtë se në 2024. Shqipëria në renditjen mes vendeve pozicionohet e 91-ta duke humbur 11 vende në renditjen e Transparency International. Serbia është renditur në vendin e 116-të sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, që përbën renditjen më të dobët të saj në dy dekadat e fundit, njofton Transparenca Serbia.

Korrupsioni po përkeqësohet në nivel global, ndërsa edhe demokracitë e konsoliduara po shënojnë rritje të korrupsionit për shkak të dobësimit të lidershipit, tregon Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (IPK) për vitin 2025 i Transparency International.