Ekuipazhi i misionit hapësinor Artemis II është nisur drejt Tokës pas një fluturimi historik pranë Hënës, gjatë të cilit astronautët përjetuan një nga pamjet më të rralla – një eklips total diellor i vëzhguar nga hapësira.
Komandanti Reid Wiseman deklaroi se ekuipazhi i anijes kozmike Orion pa “pamje që asnjë njeri nuk i ka parë ndonjëherë”, ndërsa piloti Victor Glover theksoi se përvoja ishte e papërshkrueshme. Misioni shënoi një arritje të rëndësishme, pasi anija arriti distancën maksimale prej 406,771 kilometrash nga Toka, duke vendosur rekord për udhëtimin më të largët të kryer nga njerëzit në hapësirë.
Gjatë kalimit pas Hënës, komunikimi me NASA-n u ndërpre për rreth 40 minuta, një procedurë e pritshme për shkak të pozicionit të anijes. Pas rikthimit të lidhjes, specialistja e misionit Christina Koch u shpreh: “Është shumë mirë të dëgjojmë përsëri nga Toka”.
Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka përgëzuar astronautët për suksesin, duke deklaruar se ata “kanë bërë histori dhe e kanë bërë të gjithë Amerikën vërtet krenare”, ndërsa i ftoi në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas planifikimit, ekuipazhi pritet të zbarkojë në Oqeanin Paqësor pranë bregut perëndimor të SHBA-së, në orën 20:07 sipas kohës lindore të premten (01:07 BST të shtunën), duke përmbyllur kështu një nga misionet më të rëndësishme të eksplorimit hapësinor në dekadat e fundit.
