Liderët australianë premtuan këtë të hënë, më 15 dhjetor, se do të rishikojnë menjëherë ligjet tashmë të ashpra për kontrollin e armëve, pas sulmit me armë zjarri që ndodhi gjatë festës së Hanukkah në plazhin Bondi të Sydney-t.

Të paktën 15 persona humbën jetën në këtë sulm, i cili ka nxitur kritika se autoritetet nuk po bëjnë mjaft për të luftuar rritjen e krimeve antisemitike.

Mes masave të reja të propozuara është vendosja e një kufiri për numrin e armëve që një person mund të zotërojë dhe një rishikim i lejeve të armëve të mbajtura gjatë kohës. Siç shkruan Associated Press, këto dhe masa të tjera do të përfaqësonin një përditësim të rëndësishëm të marrëveshjes kombëtare për armët, e cila praktikisht ndaloi armët me shkrepje të shpejtë pas një sulmi në Tasmani në vitin 1996, ku u vranë 35 persona, duke nxitur veprime të menjëhershme nga autoritetet.

“Qeveria është e përgatitur të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm. Në këtë përfshihet nevoja për ligje më të rrepta për armët,” tha kryeministri Anthony Albanese.

Dhuna shpërtheu të dielën, kur mijëra persona ishin mbledhur në plazhin Bondi, një ikonë e jetës kulturore australiane. Albanese e quajti masakrën një akt të terrorizmit antisemitik.

Policia qëlloi dy të dyshuarit për sulmin, një baba dhe djalë. Babai 50-vjeçar vdiq në vendngjarje, ndërsa djali i tij 24-vjeçar mbetet në koma në spital, tha Albanese.

Të paktën 38 persona të tjerë po trajtohen në spital, përfshirë një burrë që u filmua duke sulmuar dhe duke çarmatosur një nga sulmuesit. Ky person u identifikua nga Ministri i Punëve të Brendshme, Tony Burke, si Ahmed al Ahmed, një pronar i një dyqani frutash 42-vjeçar dhe baba i dy fëmijëve, i cili u qëllua në shpatull. Ai është qytetar australian që ka migruar nga Siria në vitin 2006 dhe pas këtij akti heroik, do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale të hënën.

Albanese konfirmoi se agjencia kryesore e inteligjencës australiane, Australian Security Intelligence Organization, kishte hetuar për gjashtë muaj njërin prej të dyshuarve, gjatë vitit 2019, për lidhjet e tij me një celulë të Shtetit Islamik në Sydney. Por nuk ishin gjetur tregues për ndonjë kërcënim të vazhdueshëm ose për angazhim në dhunë.

Sulmi i së dielës ishte më vdekjeprurësi në plazhin më të popullarizuar të Australisë në pothuajse tre dekada, që nga masakra që ndodhi në Port Arthur në 1996. Heqja e armëve me shkrepje të shpejtë ka ulur ndjeshëm numrin e viktimave nga akte të tilla dhune, që nga ajo kohë.

Pas ngjarjes, liderët federalë dhe shtetërorë propozuan kufizimin e zotërimit të armëve vetëm për qytetarët australianë dhe përdorimin e inteligjencës kriminale për të vendosur kush mund të ketë leje armësh.

Sulmi ka nxitur kritika për reagimin e qeverisë ndaj antisemitizmit. Liderët hebrenj dhe mbijetuesit e masakrës shprehën shqetësim dhe zemërim për faktin që autoritetet nuk arritën të parandalonin ngjarjen. Qeveria australiane ka ndërmarrë masa të ndryshme për të luftuar antisemitizmin, përfshirë emërimin e një emisari special, ashpërsimin e ligjeve dhe investime në sigurinë e shkollave dhe sinagogave hebreje, veprime këto që u intensifikuan pas sulmeve të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.

The post Australia do të ashpërsojë ligjet për armët pas masakrës në Sydney appeared first on Alsat.