Më 03.04.2026, rreth orës 07:45, në bulevardin “Boris Trajkovski” në Shkup, zyrtarët policorë nga Njësia mobile për siguri në komunikacionin rrugor, në kuadër të Sektorit për çështje të komunikacionit, kanë ndaluar për kontroll një autobus me targa të Shkupit, në pronësi të një subjekti juridik që kryen transport publik të organizuar të fëmijëve.

Gjatë kontrollit është konstatuar se në autobus po transportoheshin 85 udhëtarë, ndërkohë që kapaciteti i lejuar sipas lejes së qarkullimit është 48. Drejtuesi i autobusit, J.D. (63) nga Shkupi, ka transportuar 37 fëmijë më shumë se norma e lejuar, duke rrezikuar sigurinë e tyre.

Autobusi është dërguar për kontroll të jashtëzakonshëm teknik në një stacion të autorizuar, ku janë evidentuar mangësi serioze teknike. Sipas konstatimeve profesionale, janë vërejtur probleme në sistemin e frenimit (si në frenën punuese ashtu edhe në atë ndihmëse), si dhe dëmtime në pajisjet e shikueshmërisë, përfshirë xhamin e përparmë të thyer.

Ndaj subjektit juridik, personit përgjegjës dhe drejtuesit të automjetit janë ndërmarrë masa ligjore përkatëse dhe ata do të përballen me sanksionet e parapara. Autobusi është përjashtuar nga komunikacioni deri në eliminimin e plotë të parregullsive.

Autoritetet apelojnë te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe dispozitat ligjore, në mënyrë që të garantohet siguria në rrugë.