Thirrjet anti-shqiptare në Sallën e Sporteve në Kumanovë janë dënuar nga autoritetet. Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti bëri thirrje që rasti të zbardhet, ndërsa thirrjet të mos lejohet të përsëriten më.
“Dënoj ashpër thirrjet raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit, në Kumanovë. Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë. Ato përbëjnë një sulm ndaj bashkëjetesës, dhe barazisë që e bëjnë Maqedoninë e Veriut unike”, tha Izet Mexhti, Zëvendëskryeministër.
Kreu i Tetovës, Bilall Kasami duke dënuar thirrje ka porositur se një shtet si Maqedonia e Veriut nuk është një rezervat etnik, por mozaik kulturor i cili duhet ndërtuar me frymën e përbashkët.
“Ajo që ndodhi në Kumanovë nuk është vetëm një moment turpi për sportin, por një goditje me grusht ndaj idesë më themelore të qytetarisë: që ne jemi të ndryshëm, por të barabartë. Fyerjet raciste nuk janë “shprehje spontane të pakënaqësisë”, por tërbime primitive që kërkojnë vend në një kohë që nuk u përket”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Tetovës.
VMRO-DPMNE-ja i ka dënuar thirrjet, duke i cilësuar ato si të përgatitura nga struktura kriminale që duan të mbulojnë veprimtarinë e tyre të ndyrë me urrejtje dhe përçarje.
“Dënojmë çdo sulm nacionalist dhe gjuhë të urrejtjes, pa marrë parasysh se nga vijnë. Kjo i shkon për shtati vetëm rrymave dhe partive politike që me vite mbjellin politika të urrejtjes ndaj njëri tjetrit”, shtoi Brane Petrushevski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
Veprimet i ka dënuar edhe opozita. Arben Taravari i ka cilësuar si thirrje ndaj të cilave kryeminsitri nuk guxon të heshtë.
“Dje në Kumanovë, në një ndeshje basketbolli, në prezencë të Kryeministrit Mickovski, përfaqësues të VLEN-it, ministrit të punëve të Brendshme Toshkovski e të tjerë pushtetarë, neve, shqiptarëve na është sharë nëna, familja, origjina, fisi dhe fara në kor nga tifozë maqedonas!”, tha Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqitparët.
BDI kërkon dorëheqjen e dy zëvendësministrave nga radhët e VLEN.
”BDI kërkon përgjegjësi politike për skandalin në Kumanovë: Të dorëhiqen Astrit Iseni dhe Safije Sadiki Shaini. Njëkohësisht, kërkojmë që të gjithë përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri që janë në pozita kyçe ekzekutive, të distancohen publikisht nga ky akt i papranueshëm dhe ta ngrenë këtë çështje në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë”, theksuan nga BDI.
Thirrjet i dënuan edhe subjektet tjera politike, duke kërkuar përgjegjësi nga autoritete dhe zbardhej të rastit./Alsat
The post Autoritetet kanë dënuar thirrjet e mbrëmshme raciste kundër shqiptarëve appeared first on Alsat.
