Gazetare: Fatlume Dervishi

Inspektimet e sigurisë nga zjarri nuk ishin kryer që nga viti 2019 në barin zviceran ku një zjarr që shpërtheu në një festë të Vitit të Ri la 40 persona të vdekur dhe mbi 100 të plagosur, thanë autoritetet lokale. Ata besojnë se fishekzjarrët mbi shishet e shampanjës ndezën zjarrin në qytetin turistik të Crans-Montana, kur ato iu afruan shumë tavanit. Hetohet akoma nëse materialet për izolimin e zhurmës ishin përdorur sipas rregullores.

“Inspektime periodike nuk u kryen midis viteve 2020 dhe 2025. Këshilli Bashkiak mësoi për këtë situatë pasi shqyrtoi dokumentet e paraqitura në zyrën e prokurorit publik fundjavën e kaluar. Na vjen shumë keq për këtë. Gjykata do të përcaktojë ndikimin e kësaj mbikëqyrjeje në zinxhirin e ngjarjeve që çuan në këtë tragjedi. Ne do të marrim përgjegjësi të plotë siç përcaktohet nga gjykatat,” tha Nikolas Feraud, kreu i qeverisë bashkiake të Crans-Montana.

Autoritetet zvicerane kanë hapur një hetim penal ndaj dy menaxherëve të barit. Të dy dyshohen për vrasje nga pakujdesia, dëmtim trupor nga pakujdesia dhe shkaktim të zjarrit nga pakujdesia.

Hetuesit përfunduan identifikimin e 40 të vdekurve të dielën dhe thanë se kishin identifikuar të gjithë 116 personat që u plagosën.

Lokali kishte një  kapacitet maksimal prej 100 personash në katin përdhes të barit dhe 100 në bodrumin e tij. Nuk është e qartë se sa njerëz ishin në lokal kur shpërthyen flakët dhe hetuesit kanë thënë se kjo mund të mos dihet kurrë.

The post Autoritetet lokale në Krans Montana të Zvicrës pranuan se në pesë vitet e fundit nuk ka pasur asnjë inspektim në barin ku ndodhi zjarri tragjik appeared first on Alsat.