Gazetar: Miki Trajkovski

“Kjo është vendndodhja ku dje ndodhi incidenti i pakëndshëm, i cili mund të përshkallëzohej në një ngjarje të madhe, kur gjatë uljes së një paraglajderisti për pak sa nuk u rrezikuan këmbësorët, në një nga zonat më të frekuentuara për shëtitje në Ohër”

Qytetarët shprehin shqetësim për sigurinë e tyre.

“Duhet të kenë kujdes si zbresin dhe si fluturojnë. Duhet të ketë kontroll. Është për të ardhur keq ajo që ndodhi, por fatmirësisht u shmang një tragjedi”, tha një qytetar.

“Për sigurinë duhet të kujdeset shteti, të përcaktojë vende nga ku mund të nisen dhe ku mund të ulen. Zakonisht zbresin pranë kafeneve, nuk e di nëse është vend i përshtatshëm apo jo”, thotë një qytetar tjetër.

“Sigurisht që është e rrezikshme. Më pëlqejnë sportet ekstreme dhe kisha menduar ta provoj, por ka erë dhe kushte të tjera, kështu që gjithmonë duhet kujdes”,  u shpreh një turist.

Nga policia e Ohrit bëjnë të ditur se, në konsultim me prokurorin publik, po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e personave që kanë fluturuar.

Nga Agjencia për aviacion civil thonë se çdo fluturim me paraglajder duhet paraprakisht të paralajmërohet në kontrollin e fluturimeve në Ohër.

“Vendi që është përdorur për ulje nuk është i lejuar. Në Ohër ka disa lokacione të përcaktuara për ulje. Agjencia po punon për identifikimin e personit përgjegjës”, deklaruan nga Agjencia për aviacion civil.

  • Vendi i përdorur për ulje, i palejuar
  • Ohri, disa lokacione për ulje
  • Po identifikohet përgjegjësi

Nga aty paralajmërojnë se do të verifikohet edhe nëse personi ka pasur leje për fluturim. Ndërkohë, në lokacionin ku ndodhi incidenti, shpesh kryhen ulje me paraglajder.

Ohrit i nevojitet infrastrukturë e përshtatshme për aktivitete të tilla, si dhe rregullim ligjor.

“Është shumë e gabuar të nxirret përfundimi që pas këtij rasti të ndalohet gjithçka. Ndalimi është vetëm dëshmi e mungesës së një sistemi dhe mekanizmi për të vendosur rend në një fushë të caktuar”, theksoi Antonio Todoski – shërbimi i shpëtimit malor, Ohër.

Në videon e incizuar nga kalimtarë të rastit shihet qartë se si dy paraglajderistë, që jozyrtarisht thuhet se kanë qenë shtetas gjermanë, në vend që të uleshin në sipërfaqen e gjelbër u ulën në shtegun për këmbësorë duke goditur një shtyllë ndriçimi. Nga shpejtësia me të cilën po zbrisnin, mund të pësonin rëndë një nënë me fëmijë të vogël, e cila arriti ta tërheqë në kohë pranë vetes, si dhe dy persona më të moshuar./Alsat.mk.

The post Autoritetet reagojnë pas aksidentit me paragllajdër në Ohër, qytetarët kërkojnë përgjegjësi appeared first on Alsat.