Gazetare: Fatlume Dervishi

Ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski pranon se ka vonesa në zgjedhjen e realizuesit për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë. Sipas tij, zgjedhja që duhet të ishte bërë gjatë muajve të verës, u vonua për shkak të zgjedhjeve lokale dhe koordinimit të projektit me Bankën Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim. Interesimi i kompanive në thirrjen publike është i lartë, thotë Nikollovski.

“Procedura për zgjedhjet e realizuesit është në fazë shumë të përparuar. Afati për dorëzimin e ofertave ka përfunduar. Ka mjaftë oferta. Për shkak të fshehtësisë së procedurës nuk mundem ta them numrin por është numër i madh. Janë oferta shumë serioze dhe të paktën tre prej tyre janë në korniza të buxhetit të paraparë që është shumë domethënëse sepse ne arritëm ta kthejmë projektin në normalitet, sepse një projekt aq të shtrenjtë nuk mundet ta bëjë asnjë shtet. Ne kur e trashëguam ishte diku 27 milion euro për kilometër që mendoj se ishte punë e papërballueshme”, tha Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.

Nikollovski thotë se tani projekti parashihet të kushtojë brenda mjeteve të parapara e që janë 166 milion euro kredi nga Banka Evropiane dhe 30 milion euro grante. Në kosto përfshihet ndërtimi, mbikëqyrja dhe mbështetja teknike.

“Nuk varet vetëm nga ne, varet edhe nga Banka. Por pres që në gjysmën e parë të dhjetorit të kemi zgjedhur realizuesin dhe pastaj varësisht kushteve të motit të fillohet me punën. Aty afati i përfundimit është i shpejtë, dy vjet e gjysmë, që d.m.th. se do ta përfundojmë shpejt”, shtoi ai.

Rruga Shkup-Bllacë është realizuar në gjatësi prej 2 kilometrash dhe kanë mbetur për realizim edhe 12 kilometra të tjera./Alsat.mk

The post Autostrada Shkup-Bllacë, vonesa në thirrjen publike appeared first on Alsat.