Në prag të festave të Pashkëve, kur zakonisht rritet kërkesa për vezë, ngjyra për vezë, mish dhe produkte të tjera ushqimore, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) ka intensifikuar kontrollet ndaj operatorëve të ushqimit në mbarë vendin. Sipas njoftimeve, këto kontrolle përfshijnë të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor nga prodhimi dhe përpunimi, deri te shpërndarja dhe shitja, me synim që të parandalohet qarkullimi i produkteve të pasigurta dhe të luftohet tregtia e paligjshme.

Me mbikëqyrje të shtuar përfshihen marketet, objektet e ushqimit dhe shërbimit të ushqimit, dyqanet e specializuara për vezë, prodhuesit dhe tregtarët e ngjyrave për vezë dhe importuesit e tyre, si edhe mishtoret dhe tregjet e gjelbërta.

“Inspektorët e ushqimit dhe veterinarët zyrtarë të AUV-s kontrollojnë në terren në detaje nëse operatorët i përmbushin të gjitha kushtet e përgjithshme dhe të veçanta për sigurinë e ushqimit. Sa i përket vezëve dhe ngjyrave për vezë, përveç kushteve për ruajtje dhe magazinimin dhe etiketimin, do të vihet theksi edhe tek kontrollet gjatë importit, ku çdo dërgesë importi do t’i nënshtrohet kontrollit fizik në vendin e shkarkimit. Me këto aktivitete, AUV vepron në mënyrë preventive dhe siguron që qytetarët të kenë qasje të sigurt në produkte të sigurta dhe cilësore për tryezën festive. Si një institucion përgjegjës, ne bëjmë apel tek qytetarët të jenë konsumatorë të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm dhe ushqimin ta blejnë vetëm nga operatorë të miratuar dhe të regjistruar, të cilët janë nën kontrollin e Agjencisë”, thuhet në njoftim.

The post AUV shton kontrolle për produktet ushqimore para festave të Pashkëve appeared first on Alsat.