Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me situatën aktuale politike në vend, me theks të veçantë mbi moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Bahtiri tha se Kosova nuk është një lodër në duart e politikës ditore, por një amanet i të parëve që kanë sakrifikuar jetën për lirinë e këtij vendi, tokë të cilën, sipas tij e kanë larë me gjak.

“Mjaft është mjaft! Kuvendi i Kosovës është kthyer në peng. Peng i inatit. Peng i llogarive. Peng i atyre që s’i dhimbset shteti. Mjaft më! Qytetarët nuk kanë votuar për bllokadë, por për shpresë. Jo për heshtje, por për zë të fuqishëm. Jo për pazare, por për shtet. U drejtohem opozitës: Reflektoni ose bëhuni përgjegjës për këtë turp historik! A ka më turp se sa një Kuvend me 100 deputetë shqiptarë që nuk arrin të zgjedhë institucionet e shtetit të vet? Kosova nuk është lodër politike. Kosova është amanet i të parëve tanë, që kanë vdekur syhapur për të parë lirinë e kësaj toke që e kanë larë me gjak!”, ka shkruar Bahtiri.