Psikologu Safet Ballazhi, i pyetur në intervistën e edicionit qendror të lajmeve në Alsat se a duhet të ndalohet përdorimi i celularëve në shkolla, tha se shumë shkolla në vend veç më e ndalojnë përdorimin e celularëve gjatë orëve, duke i mbledhur tek tavolina e kujdestarit ose në vende të veçanta, për të siguruar që procesi arsimor të zhvillohet normalisht por sipas tij, në shumë raste vonohemi në marrjen e vendimeve. Sipas psikologut Ballazhi, duhet marr shembull shtetet si Franca, Australia, Suedia, që veç më kanë marrë masa, janë në hap me kohën dhe kanë ndaluar rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeçare. Ballazhi shtoi se përderisa ne shpesh vonohemi edhe në marrjen e vendimeve duke krijuar debate dhe mendohemi se çfarë alternativash të zgjedhim, si t’i parandalojmë disa gjëra, bota nga ana tjetër ecën shumë shpejtë përpara. Psikologu Safet Ballazhi, merr shembull Shqipërinë që veprojnë me masa konkrete kur behet fjalë në marrjen e vendimeve me atë që u ndalua TikTok-u atje. Ai shton se tek ne shpesh masat merren me vonesë, pasi teknologjia dhe trendet ndryshojnë shumë shpejt, dhe nënvizon nevojën që shoqëria të trajtojë seriozisht këtë çështje për të pasur kontroll mbi përdorimin e celularëve dhe rrjeteve sociale.
“Tek ne ka shumë shkolla të cilat e kanë marrë si masë dhe kam pasur rast të shoh shumë klasa ku kur hyn brenda mund të shohësh se telefonat mblidhen tek tavolina para kujdestarit të klasës dhe ka raste kur vendosën në ndonjë vend në mur ku për çdo nxënës ka vend të veçantë me numra, por ajo nuk është e mjaftueshme. Kjo që e bëjnë neper shkolla është vetëm se si të mundësojnë që procesi arsimor të rrjedh në mënyrë si duhet dhe nëse nuk e bëjnë atë atëherë fëmijët edhe gjatë orës, gjithë kohen përderisa arsimtari ligjëron ata përdorin telefonat. Ajo që me vjen mua interesantë është që në shumë shtete si Franca, Australia, Suedia, se si ngadalë tentojnë që në një farë mënyrë të marrin kontrollin në duart e veta dhe atë e bëjnë duke i ndaluar rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeçare. Kjo është interesante sepse siç kalon koha më shumë shtete e marrin këtë hap. Ja shembulli i fundit ishte Shqipëria që e ndaloi TikTok-un për minimum një vit. Pra ndonjëherë ne duke parë se çfarë po ndodh marrim disa masa por me çdoherë është pyetja se a janë të vonuara ato masa pasi gjërat ndodhin shumë shpejtë dhe dalin gjëra të reja derisa ne të mendohemi, krijojmë debate dhe mendohemi se çfarë alternativash të zgjedhim, si t’i parandalojmë disa gjëra e nga ana tjetër bota ecën shumë shpejtë përpara. Ajo që shumë shtete e bëjnë këtë ndoshta na tregon se edhe në shoqërinë tonë duhet më me seriozitet të merren këto gjëra që të mund t’i kemi disa gjëra në kontrolle,” tha Safet Ballazhi – Psikolog. /Alsat.mk
The post Ballazhi: Vonohemi me masat për celularët, bota po vepron më shpejt appeared first on Alsat.
