Gazetare: Melihate Rustemi
Banorët e fshatit Bllacë të Shkupit vazhdojnë të përballen me mungesën e transportit publik, problem që, sipas tyre, po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme dhe po e zbrazë fshatin. Autobusi që duhet t’i lidhë me qytetin mbërrin vetëm dy herë në ditë, në orën 05:30 dhe 07:30 të mëngjesit, ndërsa gjatë pjesës tjetër të ditës linja mbetet pa qarkullim.
“Autobusi nuk ka ndryshu asgjë, udhëtarë nuk ka sepse nuk kanë me çka me u kthy ata. E njëjta ka mbet sikur përpara, s’ka autobus, vjen vetëm në 5 e 30 dhe në 7 e 30 në mëngjes, dy herë edhe tjetër nuk ka hiç. Edhe udhëtarët nuk udhëtojnë me të, duhet me u kthy me diçka, s’mundet vetëm me shku edhe me mbet në Shkup”, u shpreh një banor i Bllacës.
“Ky problem na ka kushtu shumë, është zbrazur fshati. Mbi 20 shtëpi brenda katër viteve janë larguar vetëm për fëmijët. Ata fëmijë duhet me shkua në shkollë, në këmbë nuk mund të ecin 20 kilometra”, tha një tjetër banor i Bllacës.
Mungesën e transportit të rregullt publik më së shumti e pësojnë nxënësit e shkollave të mesme, të cilët shpesh varen nga të afërmit për të shkuar në mësim, ose detyrohen të mungojnë në shkollë kur nuk gjejnë transport. Nxënësit e arsimit fillor theksojnë se mungesa e linjës i privon nga mundësitë për kurse dhe aktivitete në Shkup.
“A ke dikënë familje që është në shkollë të mesme? Po, kam. Vëllai im. Me çka shkon ai në shkollë? Ai shkon me axhën tim, kur nuk ka autobus nuk shkon aspak. Kam pas dëshirë të ushtroj në valle por shkaku I autobusit nuk kam mundur”, tha një nxënës.
“Dëshiroj të shkoj në kurse të ndryshme në Shkup, por për shkak të autobusit nuk mund të shkoj. Kisha dashur në kurs të anglishtes, kurs matematikë dhe për informatikë, për shkak të autobusit nuk mundem”, deklaroi një tjetër nxënës.
“Është shumë I rëndësishëm autobusi për në fshatin tonë. Ata që janë në shkolla të mesme duhet të shkojnë te ndonjë familjar I tyre, të qëndrojnë atje, ti marrin librat dhe mos të kthehen këtu. Prindërit më kanë thënë me shkua në valle por për shkak të autobusit që nuk vjen nuk mund të shkoj sepse duhet ti bëj zgjidhje vetes me çka të shkoj e me çka të vij”, u shpreh një nxënës.
Banorët apelojnë autoritetet përkatëse që të rishikojnë urgjentisht orarin dhe funksionimin e linjës së transportit publik, duke thënë se Bllaca nuk duhet të mbetet një zonë e izoluar. Banorët kujtojnë se vite më parë linja e transportit publik drejt Bllacës dhe anasjelltas ka funksionuar 7 herë në ditë. /Alsat.mk
The post Banorët e Bllacë shprehin shqetësim për mungesën e transportit publik: Më vështirë e kanë nxënësit appeared first on Alsat.
