Gazetar: Miki Trajkovski
Për të pestën ditë me radhë, banorët e Strugës mbeten pa ujë të pijshëm. Uji nga ujësjellësi i qytetit është i ndaluar për pije dhe çdo përdorim tjetër, për shkak të turbullimit të burimeve pranë fshatit Shumë.
Nga Qendra e Shëndetit Publik thonë se sot niveli i turbullimit është dhjetë herë më i lartë se kufijtë e lejuar. Banorët e fshatrave Shumë dhe Zagraçan, përmes peticionit, kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të gërmimeve mbi burim, inspektim në terren, marrjen e masave ligjore kundër subjekteve përgjegjëse.
Ndërkohë nga Komuna e Strugës deri më tani nuk është thënë asnjë fjalë për problemin dhe as nuk janë dhënë udhëzime për qytetarët. Nga ana tjetër drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit paralajmëroi se kreut të komunës Mendi Qyra i cili prej ditësh ndodhet në udhëtim zyrtar jashtë shtetit do t’ia ofrojë dorëheqjen sapo të kthehet.
“Duke parë të gjitha këto aspekte, unë do t’i ofroj dorëheqjen time kryetarit të komunës, do t’i falënderohem për mundësinë e punës sime. Do t’i kërkoj të më shkarkojë nga kjo detyrë, për shkak të situatës së krijuar. Nuk e dinte se do të ndodhte kjo punë, kjo erdhi si shpërthim”, u shpreh Mexhait Jusufoski – Drejtor i Ujësjellësit dhe Kanalizimit, Strugë.
Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Ohër thonë se së bashku me disa institucione kanë marrë masa për zbulimin e shkaqeve të ndotjes së ujit. Pas përfundimit të të gjitha masave dhe aktiviteteve, policia do të dorëzojë kallëzim përkatës. Për herë të parë ndodh që të ndoten burimet në Shum, prej të cilave varen 70% e vendbanimeve dhe qyteti./ Alsat.mk
The post Banorët e Strugës ende pa ujë të pijshëm, drejtori i Ujësjellësit paralajmëron dorëheqje appeared first on Alsat.
