Dëmtimi i Frenkie de Jong me Holandën ka rezultuar më i rëndë nga sa mendohej. Mesfushori holandez pritet të qëndrojë jashtë fushave të lojës për 5-6 muaj, pra deri në fund të këtij viti kalendarik.

“Testet mjekësore të kryera ndaj Frenkie de Jong, kanë konfirmuar se ai ka pësuar një këputje të ligamentit medial kolateral (MCL) në gjurin e djathtë.

Është rënë dakord që lojtari të vazhdojë nën trajtim dhe monitorim mjekësor, ndërsa rikuperimi i tij do të vlerësohet gjatë javëve të ardhshme”, thuhet në njoftimin për shtyp të klubit katalanas.

Vetë mesfushori holandez ka reaguar përmes një postimi të gjatë në rrjetet e tij sociale, ku sqaron gjithë dyshimet e krijuara pas dëmtimit të tij në Botëror.

“Normalisht, nuk i kushtoj shumë vëmendje asaj që shkruhet për mua, ekipin apo klubin. Por kohët e fundit, ka pasur shumë spekulime rreth dëmtimit tim dhe situatës sime te Barça.

Është e vështirë për mua të shoh njerëz që vënë në dyshim marrëdhënien dhe përkushtimin tim ndaj klubit për shkak të raporteve të rreme. Futbolli është gjithçka për mua dhe gjithmonë kam dhënë gjithçka që kam për FC Barcelona-n dhe vendin tim. Kjo është arsyeja pse dua të ndaj atë që ndodhi.

Gjatë Kupës së Botës, u lëndova në gju. Pas vlerësimeve të para, mjekët më thanë se ishte një dëmtim i vogël dhe se nuk do të përkeqësohej nëse do të vazhdoja të luaja. Sfida e vetme ishte të luaja me pak dhimbje, por gjatë gjithë karrierës sime e kam bërë këtë sa herë që kam mundur të kontribuoj në ekip, si për klubin tim ashtu edhe për vendin tim.

Gjatë pushimeve, u ktheva në Barcelonë për ekzaminime të mëtejshme. Këto treguan se dëmtimi ishte më serioz sesa ishte përcaktuar fillimisht. Për fat të mirë, në këtë fazë nuk ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale dhe tani jam plotësisht i përqendruar në rikuperimin tim dhe kthimin në fushë sa më shpejt të jetë e mundur.

Të luash për Barçën dhe Holandën është diçka për të cilën ndihem jashtëzakonisht krenar, dhe angazhimi im ndaj të dyjave nuk do të ndryshojë kurrë. Do të vazhdoj të jap gjithçka për këtë simbol, për shokët e mi të ekipit dhe për tifozët tanë.

Ka ende shumë momente për të krijuar dhe qëllime që duam t’i arrijmë së bashku. Faleminderit për gjithë mbështetjen tuaj. Mezi pres të kthehem”, shkruan De Jong.

The post Barcelona konfirmon dëmtimin e rëndë të Frenkie de Jong, mesfushori bën reagimin e ndjerë: Gjithmonë kam dhënë gjithçka për këtë ekip appeared first on Telesport.