Pas rinovimeve të realizuara tashmë të Alphonso Davies, Neuer dhe Musiala, Bayern Munich po vazhdon planifikimin e skuadrës për vazhdimësinë. Tani mungon vetëm firma e Joshua Kimmich. Sportivisht, gjithçka po shkon mirë te Bayerni, përkundër barazimit të shëmtuar 0-0 me Leverkusenin. Kryesimi i Bundesligës nga bavarezët është ende i fortë dhe distanca prej 8 pikësh nga ndjekësi më i afërt është e konsiderueshme.

Ndërkohë, Joshua Kimmich është në prag të skadencës së kontratës në fund të sezonit, teksa disa klube të huaja kanë filluar të interesohen për situatën e tij dhe po përpiqen ta rrëmbejnë mesfushorin 30-vjeçar. Bisedimet ndërmjet lojtarit gjerman dhe drejtuesve të klubit të tij aktual po vazhdojnë prej muajsh.

“Kimmich dëshiron një skuadër me të cilën mund të luftojë për tituj, – tha presidenti Herbert Hainer për ‘Blickpunkt Sport’. – Bayern Munich është gjithmonë gati të synojë objektiva shumë ambiciozë sportivë. Mendoj se ato që kanë ndodhur muajt e fundit janë shenja pozitive për të (Kimmich)”.

Presidenti Hainer thotë se është optimist, por i kujdesshëm për rinovimin e mundshëm të kontratës së Kimmich: “Në fund, ai do të duhet të vendosë, por mendoj se edhe ai e di çfarë ka te Bayern Munich”. Tani nuk mbetet gjë tjetër veçse të ndiqet evoluimi i këtij rasti, që me kalimin e kohës po bëhet gjithnjë e më intrigues.

The post Bayern Munich, “poker” rinovimesh me Kimmich? Presidenti: Optimizëm i kujdesshëm, ai e di çfarë ka këtu appeared first on Telesport.