Bashkimi Demokratik për Integrim – Dega në Tetovë, ka parashtruar zyrtarisht një kërkesë në komunë për qasje të lirë në informata me karakter publik, përmes së cilës kërkohet zbardhja e plotë e korrespondencës zyrtare. Sipas tyre, injorimi i kërkesave të Gjykatës Kushtetuese nga ana e komunës dhe fshehja e dokumentacionit hedhin hije të rënda dyshimi mbi kryetarin Bilall Kasami, nga i cili kërkojnë llogaridhënie të menjëhershme.

“Vetë Gjykata Kushtetuese konstaton se Komuna e Tetovës, në katër raste brenda 1 viti, nuk e dorëzoi dokumentacionin e plotë të kërkuar. Në tri raste heshti edhe Qeveria. Më skandaloz është fakti se Gjykata i referohet nenit 73 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Ky nen përcakton qartë se, nëse Qeveria nuk përgjigjet brenda 60 ditëve nga pranimi i kërkesës, pëlqimi konsiderohet i dhënë dhe akti i komunës pranohet siç është propozuar. Pra, sikur Komuna ta kishte dorëzuar provën se kërkesa për pëlqim i ishte dërguar Qeverisë, heshtja e Qeverisë nuk do të ishte pengesë juridike”, theksoi Bejza Abdiji –BDI Dega Tetovë.

Nga Komuna e Tetovës, u përgjigjën, duke thënë se kanë respektuar çdo procedurë ligjore dhe i është përgjigjur Gjykatës Kushtetuese në mënyrë institucionale për çdo kërkesë të saj, pa asnjë vonesë apo neglizhencë.

KOMUNA E TETOVËS:

“E hedhim poshtë çdo dezinformatë që tenton të njollosë punën e administratës komunale. Është gënjeshtër e kulluar se Komuna nuk ka kthyer përgjigje. Duke qenë se bëhet fjalë për një lëndë/çështje të vjetër mbi 10 vjet, Komuna e Tetovës, në përputhje të plotë me ligjin, ka kërkuar dokumentacionin përkatës nga Arkivi Shtetëror dhe të njëjtin ia ka dorëzuar zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese”

Nga Komuna përfundojnë duke siguruar se në ditët në vijim do të publikojë të gjithë korrespondencën zyrtare me numra arkivorë të zhvilluar ndërmjet Komunës dhe Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilave, sipas tyre, do të shihet qartë e vërteta.