Bashkimi Demokratik për integrim përmes një kumtese ka kritikuar vendimin negativ të Fondit Shëndetësor për mosdhënien e pëlqimit për marrëdhënie të përhershme pune për 155 motra medicinale në Spitalin Klinik të Tetovës. Kjo parti shpërndau vendimin e fondit në opinion dhe kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të tij.

“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatën dhe shqetësimin më të thellë për vendimin e Qeverisë aktuale VMRO-VLEN për mosdhënien e pëlqimit për marrëdhënie të përhershme pune për 155 motra medicinale në Spitalin Klinik të Tetovës, gra profesioniste, nëna dhe shtylla të qindra familjeve, të cilat me vite të tëra shërbyen me përkushtim ndaj pacientëve dhe sistemit shëndetësor të vendit”, thonë nga BDI.

Bilall Kasami nga koalicioni VLEN fajin e hodhi te ministri i kaluar i shëndetësisë.

“Aty ne e dimë se ka pas ndërrim të ministrit dhe ne tash e dimë se ministri i ri do të ecë procedurën e re dhe besojë se ajo çështje në kuadër të ministrisë do të zgjidhet dhe spitali Tetovës do t’i ketë punësimet që i duhen për të kryer shërbimet. Fatkeqësisht, ministri paraprak në vend që t’i zgjidhte këto problem, që është dashur shumë më herët të zgjidheshin, ai është marr me çështje tjera politike”, tha Kasami.

Reagoi edhe ministri i shëndetësisë, Azir Aliu, i cili u shpreh i bindur se 155 punonjësit e spitalit do të marrin vendime pune.

“Prandaj e themi sot qartë, 155 punonjës të spitalit të Tetovës do të marrin kontrata të përhershme, pikë. Procedura është e përfunduar i kemi vënë fund një agonie që ata e krijuan dhe e ushqyen për vite me radhë. Ky problem zgjati me vite se BDI ishte me dekada në pushtet dhe kurrë nuk u mundua ta zgjidh këtë problem, madje edhe Arben Taravari kur ishte ministri nuk bëri asgjë. Vetëm rrinte dhe shikonte se si këta njerëz poshtëroheshin me kontrata të përkohshme dhe jetonin në pasiguri”, tha Aliu.

Në qershor, 155 motra medicinale në Tetovë protestuan për rroga të papaguara dhe kontrata të përfunduara. Më pas, ato morën kontrata gjashtëmujore dhe pagesat e mbetura, me premtim për punësim të përhershëm.