BDI-Saraj: Deputeti maqedonas me zyrë në komunë, rezultat i pazareve politike (FOTO)

Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Saraj ka reaguar ndaj, siç e cilëson, një vendimi të paprecedentë në historinë e kësaj komune, ku një deputet maqedonas ka siguruar zyrë të posaçme brenda objektit komunal, shkruan gazeta KOHA.

Sipas reagimit, bëhet fjalë për një përfaqësues politik që, siç thuhet, ka kërkuar “hisen” e tij politike me arsyetimin se ka kontribuar me vota për ardhjen në pushtet të kryetarit aktual të komunës, Muhamed Elmazi.

Nga BDI theksojnë se kjo situatë bëhet edhe më e pakuptimtë duke pasur parasysh strukturën demografike të Sarajit, ku nga rreth 44 mijë banorë, mbi 90 për qind janë shqiptarë, ndërsa maqedonasit përbëjnë një numër shumë të vogël.

Reagimi i plotë i BDI-Dega në Saraj:

Për herë të parë në historinë e Komunës së Sarajit, një deputet maqedonas po kërkon “hisen” e tij politike brenda objektit të komunës, duke siguruar zyrë të posaçme me arsyetimin se ka ndihmuar me vota ardhjen në pushtet të kryetarit aktual, Muhamed Elmazi.

Kjo bëhet edhe më absurde kur dihet se Saraji ka rreth 44 mijë banorë, prej të cilëve mbi 40 mijë janë shqiptarë ose mbi 90% e popullsisë, ndërsa maqedonasit janë më pak se 1 mijë banorë.

Përkundër këtij realiteti demografik, për herë të parë një përfaqësues maqedonas po vendoset brenda komunës së Sarajit me zyrë të dedikuar për “takime me qytetarët”, sikur komuna të jetë pronë e pazareve politike dhe jo institucion në shërbim të qytetarëve.

Ironia bëhet edhe më e madhe kur dihet se në Saraj ka edhe deputetë të tjerë shqiptarë, të zgjedhur nga vota e qytetarëve të kësaj komune, por ata nuk përfshihen, nuk marrin hapësira e as privilegje të tilla institucionale. Pse? A matet sot përfaqësimi me pazare politike dhe jo me legjitimitetin që ta jep qytetari?

Saraji nuk ka nevojë për ndarje etnike nëpër zyra komunale, por për përfaqësim dinjitoz, transparencë dhe respekt ndaj vullnetit të qytetarëve.