Maqedonia e Veriut po ndërmerr hapa drejt harmonizimit të legjislacionit për cilësinë e ajrit me standardet e Bashkimit Evropian. Projekti “SMILE”, i financuar me rreth katër milionë euro përmes Instrumentit të Paraanëtarësimit të BE-së (IPA), ka për qëllim përgatitjen e bazës ligjore dhe dokumenteve strategjike për luftimin e ndotjes së ajrit. Ministri i Mjedisit Jetësor, Muhamed Hoxha, bëri të ditur se projekti ka përfshirë përgatitjen e ligjit për ajrin, tetë akteve të tjera nënligjore, si dhe të programit dhe planit kombëtar për ndotjen.
“Me rastin e përfundimit e projektit “Smile” për ajrin i cili ka të bëjë me përgatitjen e pjesës së legjislaturës përkatësisht përgatitjes së ligjit për ajrin dhe njëkohësisht 8 akteve tjera nënligjore si dhe programit dhe planit nacional për ndotjen që nënkupton disa plane afatgjate të cilat në të ardhmen do të mund të zbatohen në RMV”, tha Hoxha.
“Përpjekja është që legjislacioni i Maqedonisë së Veriut të harmonizohet me standardet ekzistuese të Bashkimit Evropian. Ky projekt është financuar me rreth katër milionë euro përmes IPA-s, Instrumentit të Paraanëtarësimit. Tashmë, ai ka hedhur themelet për procesin legjislativ, i cili duhet të kalojë në Parlament, përkatësisht në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Natyrisht, kjo kërkon një koordinim të lartë ndërmjet ministrive, veçanërisht Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Transportit dhe Ministrisë së Mjedisit, në mënyrë që të harmonizohen të gjithë elementët e nevojshëm për përmirësimin e cilësisë së ajrit në të gjithë vendin. Ky është një investim shumë i rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve”, tha Rokas.
