Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të re sanksionesh ndaj Iranit, si përgjigje ndaj shtypjes së vazhdueshme të protestave dhe mbështetjes që Teherani i jep Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

Komisioni Evropian ka përshëndetur vendimin e Këshillit të BE-së për vendosjen e masave të reja kufizuese, duke theksuar se situata në Iran po monitorohet nga afër dhe se Bashkimi Evropian mbetet i gatshëm të ndërmarrë hapa të tjerë nëse do të jetë e nevojshme.

Sipas vendimit, sanksionet përfshijnë 15 individë dhe 6 subjekte, ndaj të cilëve do të zbatohet ngrirja e pasurive, ndalimi i udhëtimit drejt vendeve të BE-së, si dhe ndalimi i dhënies së fondeve apo burimeve ekonomike.

Këshilli i BE-së ka zgjeruar gjithashtu ndalimin e eksportit dhe furnizimit të Iranit me teknologji dhe komponentë që përdoren për prodhimin e dronëve dhe raketave. Sipas vlerësimeve të BE-së, këto pajisje janë dërguar nga Irani në Rusi dhe janë përdorur për sulme ndaj civilëve dhe infrastrukturës në Ukrainë.

Përveç kësaj, sanksione shtesë janë vendosur edhe ndaj 4 individëve dhe 6 entiteteve të tjera për përfshirjen e tyre në programin iranian të dronëve dhe raketave.

Masat do të hyjnë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka deklaruar se këto sanksione dërgojnë një mesazh të qartë ndaj autoriteteve iraniane, duke theksuar se shtypja e protestuesve nuk do të mbetet pa përgjigje.

Ndërkohë, Komisionerja për Shërbimet Financiare, Maria Luís Albuquerque, ka theksuar se këto masa dëshmojnë qartë qëndrimin e BE-së kundër reagimit të dhunshëm të Iranit ndaj protestave paqësore.