Gazetare: Melihate Rustemi
Në Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup, heshtja e mesnatës u thye nga e qara e bebes së parë, pikërisht kur akrepat e orës shënuan ndërrimin e moteve. Një vajzë e shëndetshme është qytetarja e parë e vitit 2026 në Maqedoninë e Veriut. Me peshë rreth 3 kilogram, Evgenija Kamçeva u bë menjëherë ylli i spitalit, duke sjellë lot gëzimi te prindërit dhe stafi mjekësor.
“Në klinikën tonë erdhi Evgenija e vogël, një vajzë simbol i lindshmërisë dhe fëmija i tretë i lindur në familjen Kamçevi, gjë që përfaqëson vërtet një stimul për shumë familje në vendin tonë. Sepse, vërtet një shtëpi e mbushur me shumë fëmijë është shtëpia më e ndritshme, më e ngrohtë dhe më e lumtur”, deklaroi Irena Aleksioska Papestiev, drejtore e Gjinekologjisë.
“Në traditën tonë vajzat janë një mirëqenie për shoqërinë kështu që uroj që 2026-ta të jetë vit i mirëqenies. Ne si ministri e Shëndetësisë do të investojmë në infrastrukturë me qëllim që të rinjtë të kenë një shëndetësi e cila do të përgjigjet në kohë, një shëndetësi e cila do të ketë infrastrukturë kompatibile me nevojat e qytetarëve”, tha Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.
Përveç foshnjës së parë që mori një sërë dhuratash nga Qyteti i Shkupit, paketa nga ky institucion morën të gjitha foshnjat e porsalindura.
“Ajo që ndryshon nga vitet e kaluara është se për të gjithë të porsalindurit siguruam paketa si Qytet i Shkupit gjë që nuk ishte shprehi në të kaluarën. Si Qytet i Shkupit do të përpiqemi ta rrisim mbështetjen tradicionale që e kishim në të kaluarën sepse ne duhet të investojmë dhe të ndihmojmë në stimulimin e fëmijëve që të kenë më shumë fëmijë që njëkohësisht është në përputhje me politikat e Qeverisë”, theksoi Orce Gjorgjievski, kryetar I Qytetit të Shkupit.
Ndërkaq në spitalin gjinekologjik “Nënë Tereza” në Çair foshnjat e para që erdhën në jetë janë dy vajza binjake. Që të dyja bashkë më nënën 26 vjeçare gëzojnë shëndet të plotë.
“Kemi dy vajza, dy foshnja binjake. Vajza e parë është me peshë trupore 2.570 gr dhe 47 cm gjatësi, ndërsa foshnja e dytë është me peshë trupore 2.010 gr dhe gjatësi 43 centimentra. Edhe foshnjat edhe nënat gëzojnë shëndet shumë të bukur”, u shpreh Afërdita Ismaili, drejtore e Spitalit gjinekologjik “Nënë Tereza”.
“Nga vet fakti që vijnë nga të gjitha qytetet në Gjinekologjinë e Çairit tregon për seriozitetin e punës dhe suksesin që e kanë. Ne jemi këtu për mbështetje të spitalit ndërsa sot jemi këtu për bebet e lindura që janë vajza”, deklaroi Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit.
Deri në orët e paradites së 1 janarit, në gjinekologjinë në Çair lindën edhe 7 bebe të tjera. /Alsat.mk
The post Bebja e parë në Shkup është vajzë, në Çair lindën dy binjake appeared first on Alsat.
