“Filmat mund të ndryshojnë botën”, deklaroi presidenti i jurisë së Berlinales, Wim Wenders, në një konferencë për media të enjten në mëngjes, para hapjes së “Berlinales”. Edicioni i 76-të i Festivalit gjerman u hap me filmin “No Good Men”. Komedia e parë romantike nga Afganistani, që sfidon zhanret, shfaqet jashtë konkurrencës në festival, dhe zhvillohet në Afganistan pak para kthimit të talebanëve në pushtet në vitin 2021

Shahrbanoo Sadat ka shkruar skenarin, ka bërë regjinë, si dhe luan rolin kryesor në komedinë e parë romantike në Afganistan, “No Good Men”, e cila hapi edicionin e 76-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, të enjten në mbrëmje.

Filmi që sfidon zhanret, i cili shfaqet jashtë konkurrencës në festival, zhvillohet në Afganistan pak para kthimit të talebanëve në pushtet në vitin 2021. “No Good Men” ndjek personazhin Naru, një kameramane që punon për “Kabul TV”, e cila po rrit e vetme djalin e saj të vogël pas një martese të dhimbshme. Naru është zhgënjyer nga burrat dhe mundohet ta drejtojë jetën në një shoqëri thellësisht patriarkale. Ajo beson se nuk ka më “burra të mirë”, derisa bashkohet me gazetarin veteran, Qodrat, për një seri detyrash në ditët e fundit, para kthimit të talebanëve në pushtet. Derisa mbulojnë ngjarje nëpër Kabul, partneriteti i tyre profesional ngadalë zhvillohet në një romancë të ndërlikuar, e vendosur kundrejt tensioneve politike në rritje.

Filmi kombinon dramën personale me rreziqet me të cilat përballen gazetarët, duke nxjerrë në pah tensionin dhe ndjeshmërinë e një redaksie – dhe të një vendi – në prag të një ndryshimi të thellë.

Regjisorja e shpërblyer me çmime, Sadat, ka thënë në një konferencë për media në “Berlinale” se për filmin e tretë të karrierës, dëshironte të sillte një perspektivë më ndryshe për vendin e saj.

“E kuptoj që jeta e përditshme në Kabul është e mbushur me humor e komedi. Dhe fatkeqësisht, në Afganistan nuk kemi një industri filmi. Prandaj shumë regjisorë ndërkombëtarë, kur bëjnë filma për Afganistanin, këta filma e përfaqësojnë vendin në mënyrë të gabuar sepse ata nuk e njohin vendin tonë dhe nuk i njohin njerëzit edhe aq mirë, kështu që përqendrohen vetëm te lufta. Unë doja të bëja diçka që është më e lidhur me jetën time të përditshme, dhe më erdhi në mendje ideja e një komedie romantike”, ka thënë regjisorja. “Duke folur për këtë grua dhe botën e saj, unë po flisja për patriarkatin dhe korrupsionin dhe për epokën e demokracisë, e cila nuk ekziston më, për këtë klasë të mesme që nuk ekziston më, për shumë gjëra që mendoj se i shtojnë një shtresë politike. Pra, ja ku jemi, një rom-com politik”.

Regjisorja 35-vjeçare u rrit duke besuar se nuk ka burra të mirë në Afganistan – derisa takoi Anwar Hashimi, i cili shërben si bashkëskenarist e po ashtu luan në film.

“A besoj se ka burra të mirë në Afganistan dhe në botë? Po. Në fakt, unë bëra këtë film për burrat e mirë. E dini, besoj që ka burra të mirë, por besoj gjithashtu se nevojiten më shumë burra të mirë në botë, por edhe në Afganistan”, ka thënë ajo.

Sadat u evakuua në mënyrë dramatike nga Afganistani në 2021, kur Kabuli ra në duart e talebanëve dhe tani jeton dhe vepron në Hamburg të Gjermanisë.

“Duhej të kaloja përmes emocioneve dhe traumave të papërpunuara dhe jo vetëm traumave personale, por edhe atyre shoqërore dhe historike, për të kuptuar botën ku ndodhem dhe çfarë është relevante, çfarë të mbaj dhe çfarë të hedh poshtë”, ka thënë ajo. “Në fillim, ideja ishte shumë romantike për mua. Besoja që po bëj një komedi romantike dhe do të jetë fantastike. Por qava shumë gjatë zhvillimit të këtij filmi. Çdo gjë pas skenave ishte në njëfarë mënyre tragjike”.

Ndërkohë, në një konferencë për media të enjten në mëngjes, para hapjes zyrtare të festivalit, presidenti i jurisë së “Berlinales”, Wim Wenders, deklaroi se beson që “filmat mund të ndryshojnë botën”, por nuk mund të ndikojnë në veprimet e qeverive apo organeve politike.

“Ne mund të ndryshojmë idenë që njerëzit kanë për mënyrën se si duhet të jetojnë. Dhe ka një keqkuptim të madh në këtë planet midis njerëzve që duan të jetojnë jetën e tyre dhe qeverive që kanë ide të tjera. Pra, mendoj se filmat hyjnë në këtë mosmarrëveshje”, ka thënë Wenders.

Anëtarët e tjerë të jurisë ndërkombëtare përfshijnë: Min Bahadur Bham (nga Nepali), Bae Doona (nga Koreja e Jugut), Shivendra Singh Dungarpur (nga India), Reinaldo Marcus Green (nga SHBA-ja), HIKARI (nga Japonia) dhe Ewa Puszczyńska (nga Polonia).

Filmat më të shquar në konkurrencë janë: “At the Sea” nga Kornél Mundruczó, me aktoren Amy Adams, “Josephine” nga Beth de Araújo me Gemma Chan, dhe “Rosebush Pruning” me aktorët Elle Fanning dhe Callum Turner. Edicioni i 76-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin do të zgjasë deri më 22 shkurt.

The post “Berlinalja” e fuqisë së filmit nis me komedinë romantike nga Afganistani appeared first on Alsat.