Gazetare: Melihate Rustemi
Pas një muaji agjërimi, përkushtimi dhe sakrifice, besimtarët myslimanë në Maqedoninë e Veriut kanë nisur sot kremtimin e festës së Fitër Bajramit. Atmosfera festive ka përfshirë mbarë vendin, ndërsa manifestimi qendror u mbajt në xhaminë “Mustafa Pasha” në Shkup.
Mesazhet e këtij viti, të përcjella nga kreu i Bashkësisë Fetare Islame, ishin një thirrje e fuqishme për paqe universale, përgjegjësi njerëzore dhe luftë kundër dukurive që dëmtojnë shoqërinë.
“Ky gëzim, në të njëjtën kohë është falënderim ndaj Allahut fuqiplot që gjatë gjithë Ramazanit ju dha vullnet të paluhatshëm, iman të fortë, qëllim të pastër dhe me sukses kryen agjërimin e ditëve të muajit të Ramazanit, arritën që të bëjnë ibadete, arritën ti drejtohen Zotit me lutje të shumta. I gjithë muaji I Ramazanit kaloi në gëzim dhe hare, në afërsi me njëri tjetrin, në paqe, solidaritet dhe në njëfarë mënyre treguan në praktikë se besimi i myslimanëve dhe I besimtarit nuk është vetëm fjalë, vetëm formalitet por është edhe praktikën e jetën e përditshme,” tha Shaqir Fetai, kryetar I BFI-së.
Përveç reflektimit shpirtëror, kreu I BFI-së shfrytëzoi hutben e Bajramit për të dërguar një apel të fuqishëm për të gjithë qytetarët, pa dallim rrace apo kombi, që të rreshtohen drejt vlerave të përbashkëta.
“Sot dhamë mesazhin e Fitër Bajramit ku apeluam të gjithë pavarësisht besimit, racës, vendit, kombit, që të gjithë të rreshtohemi në rrugën e drejt, në rrugën e paqes, tolerancës, në rrugën e bashkëjetesës dhe në rrugën e konstruktivitetit,” tha Shaqir Fetai, kryetar I BFI-së.
Sipas tij, përvoja e Ramazanit dhe sakrifica e agjërimit duhet të shërbejnë si një kujtesë për njerëzimin se vlerat morale dhe respekti për dinjitetin njerëzor janë themeli i një shoqërie të shëndoshë. /Alsat.mk
The post Besimtarët myslimanë sot festojnë Fitër Bajramin, ceremonia kryesore u mbajt në xhaminë “Mustafë Pasha” në Shkup appeared first on Alsat.
