Akademik Abdylmenaf Bexheti, kryetar i Këshillit Fiskal, në emisionin Biznis 21 në TV21 deklaroi se projektet infrastrukturore si Korridori 8 dhe Korridori 10 do të kenë efekt të rëndësishëm, por të kufizuar, në rritjen ekonomike gjatë vitit 2026.
“Një pjesë e madhe e mjeteve të planifikuara janë drejtuar për realizimin e aktiviteteve të lidhura me Korridoret 8 dhe 10. Edhe pse një pjesë e punimeve nuk kryhen drejtpërdrejt nga operatorët vendorë të ndërtimit, kompanitë tona marrin pjesë si bashkëpunëtore, gjë që megjithatë ka efekt pozitiv,” tha Bexheti.
Ai pret që pikërisht këto investime infrastrukturore të sjellin rritje ekonomike prej rreth 0,8 deri në 1 pikë përqindjeje.
“Investimet dhe konsumi janë komponentët kryesorë që e nxisin rritjen, dhe nga ky këndvështrim këto projekte kanë ndikim indirekt, por real,” shtoi ai.
Bexheti vlerësoi gjithashtu se Qeveria i ka projektuar në mënyrë reale shpenzimet kapitale në buxhetin e ri, pasi në vitin e kaluar realizimi i tyre ka qenë rreth 45 për qind.
Sipas tij, më mirë është të vendosen objektiva të arritshme, sesa të bëhen “projektime voluminoze” që më pas ridrejtohen gjatë vitit për shpenzime rrjedhëse.

