Negociatorët ukrainas takohen sot me zyrtarë evropianë në Bruksel, dhe më pas me zyrtarë amerikanë në Florida. Takimet vijnë disa ditë pas një takimi pesorësh në Kremlin mes zyrtarëve të Uashingtonit dhe Moskës, ku presidenti rus, Vladimir Putin, i ritheksoi kushtet e tij të ashpra për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Para takimeve, Putini përsëriti kërkesat e tij të kamotshme dhe gjithëpërfshirëse për sovranitetin dhe ushtrinë e Ukrainës, gjatë një interviste për India Today. “Ose ne i çlirojmë këto territore me forcë, ose trupat ukrainase largohen nga këto territore dhe i ndalin luftimet atje”, i tha Putini kanalit indian, në një intervistë të regjistruar paraprakisht dhe të publikuar një ditë para udhëtimit të tij në Indi. I dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë Witkoff, dhe Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, u takuan me Putinin dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Kremlin më 2 dhjetor, në përpjekjet më të fundit për ta gjetur një marrëveshje që do t’i jepte fund pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska. /Alsat.mk
The post Bisedimet për paqe, negociatorët takohen sot me zyrtarë evropianë në Bruksel appeared first on Alsat.
