Gazetar: Avni Tahiri
Viti i Ri 2026, u prit në mbarë botën me festa madhështore, fishekzjarrë spektakolare dhe aktivitete festive në qytetet kryesore anembanë globit. Miliona njerëz dolën në sheshe për të ndarë momentin e ndërrimit të viteve, ndërsa ngjarjet u ndoqën nga miliona të tjerë edhe përmes transmetimeve televizive.
Sidnei ishte ndër qytetet e para që hyri në Vitin e Ri, me fishekzjarrë madhështore mbi Portin e Sidneit dhe Operën, duke shënuar në mënyrë simbolike fillimin e festimeve globale.
Në Londër, mijëra qytetarë dhe turistë u mblodhën përgjatë lumit Thames për të ndjekur fishekzjarrët ikonike pranë London Eye. Shfaqja u transmetua drejtpërdrejt dhe u konsiderua një nga ngjarjet më të ndjekura të natës.
Në Paris, mijëra njerëz u mblodhën në Champs-Élysées për të ndjekur shfaqjen me drita dhe fishekzjarrë pranë Harkut të Triumfit. Atmosfera ishte festive, me muzikë, numërim mbrapsht dhe masa të shtuara sigurie.
Dubai shkëlqeu me një spektakël të jashtëzakonshëm fishekzjarrësh dhe dronësh rreth Burj Khalifa, duke ofruar një nga shfaqjet më mbresëlënëse në botë dhe duke tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.
Festime u mbajtën edhe në shumë qytete të tjera si Nju Jorku, Tokio, Rio de Janeiro dhe Berlin, ku koncertet, traditat lokale dhe aktivitetet publike shënuan fillimin e një viti të ri.
Nga vendet e rajonit, më spektakolare ishin festimet në Tiranë, të përqendruara në Sheshin Skënderbeu, ku u organizua një koncert festiv me pjesëmarrjen e artistëve të njohur shqiptarë. Numërimi mbrapsht drejt mesnatës u shoqërua me fishekzjarrë, ndërsa mijëra qytetarë pritën ndërrimin e motmoteve në shesh.
Në Prishtinë, atmosfera festive mbizotëroi në sheshin qendror, ku po ashtu ishin organizuar aktivitete muzikore dhe qytetarët të shumtë që pritën Vitin e Ri në shesh. Në mbarë botën si dhe në rajon, pritja e Vitit të Ri u shoqërua me mesazhe shprese, reflektim dhe dëshirë për paqe e mirëqenie në vitin që sapo ka nisur. /Alsat.mk
The post Bota mirëpriti Vitin e Ri 2026 me spektakël fishekzjarrësh, festime madhështore dhe shpresë për paqe e begati appeared first on Alsat.
