Fjalët e Javier Tebas, presidentit të La Liga-s, tingëllojnë si një goditje e rëndë në skenën ndërkombëtare të futbollit. I ftuar në eventin “Ku po shkon futbolli?”, organizuar në Bruksel nga eurodeputetja e Lëvizjes Pesë Yjet, Carolina Morace, Tebas nuk kurseu kritikat e ashpra ndaj Kupës së re të Botës për Klube, duke e quajtur imponim të papranueshëm, që rrezikon të përmbysë kalendarin e garave kombëtare.
“Kjo Kupë e Botës për Klube është imponuar mbi ligat kombëtare, diçka që ne nuk e pranojmë aspak, – deklaroi ashpër Tebas. – Rrezikojmë të detyrohemi ta ndryshojmë kalendarin e kampionatit dhe kjo ndodh kur gjërat bëhen pa asnjë koordinim me garat kombëtare”.
Numri një i La Liga-s u shfaq i palëkundur në refuzimin e çdo ndryshimi të mundshëm në kalendarin e kampionatit spanjoll për t’u përshtatur me turneun e ri të FIFA-s. “Duhet ta vlerësojmë dhe ta studiojmë mirë situatën.
Nuk është e pranueshme që të jemi gjithmonë ne, ata që duhet t’i ndryshojmë kalendarët tanë për të tjerët. FIFA pret që të gjitha ligat të përshtaten pa asnjë konsultim, – theksoi ai me forcë, duke dhënë një shembull konkret për pasojat e mundshme: – Një derbi i Madridit në javën e parë të kampionatit është i pamundur”.
Çështja është shumë delikate dhe po krijon përplasje të fortë mes ligave kombëtare e FIFA-s. Në mes të këtij ngërçi të ndërlikuar për kalendarin, Shoqata e Futbollistëve Spanjollë (AFE) raportohet se është në bisedime me dy nga figurat kryesore të futbollit madrilen; Dani Carvajal të Real Madridit dhe Koke të Atletico Madridit.
Qëllimi është të shqyrtohet mundësia e shtyrjes së nisjes së sezonit të tyre nëse ekipet përkatëse arrijnë deri në çerekfinalet e Kupës së Botës për Klube. Në një skenar të tillë, debutimi në La Liga për lojtarët e përfshirë mund të spostohet deri më 24 gusht.
The post “Botërori i ri për Klube iu imponohet ligave kombëtare, rrezikon kalendarin e La Liga-s” appeared first on Telesport.
