Peshëngritësi shqiptar Briken Calja është shpallur sot kampion Europe në stilin e shtytjes në Kampionatin Europian të shtangës që po zhvillohet në Batumi të Gjeorgjisë. Përpos kësaj, shtangisti kuqezi moroi edhe medaljen e argjendtë në dygarësh në peshën 79kg.

Calja bëri një tjetër paraqitje shumë të mirë në këtë event, duke treguar një formë të shkëlqyer. Në stilin e shkëputjes, ai u rendit në vendin e katërt me 153kg, provë që e realizoi në përpjekjen e parë. Ndërsa në dy provat e tjera ai dështoi të ngrejë 157kg.

Në stilin e shtytjes, Calja e nis jo mirë, duke dështuar të ngrejë 185kg, peshë që e realizon në provën e dytë. Më pas, ai arrin të ngrejë edhe 187kg, duke i dhënë atij medaljen e artë, ndërkohë që rivalërt e tij dështuan ta kalojnë në provat e tyre.

Me 340kg në dygarësh, Calja var në qafë edhe medaljen e argjendtë, me 1kg më pak se Serobian, fitues i medaljes së artë. Gjithsesi, shtangisti kuqezi konfirmoi edhe një herë se është një kampion në pedanë, duke i dhuruar vendit tonë dy medalje të tjera.

Po në këtë peshë garoi edhe Erkand Qerimaj, por paraqitja e tij la shumë për të dëshiruar. Ai realizoi vetëm provën e dytë në stilin e shkëputjes, me 152kg, duke u renditur në vendin e tetë në këtë stil. Në dy përpjekjet e tjera, ai dështoi me 152kg dhe 157kg.

Në stilin e shtytjes, Qerimaj  nuk realizoi asnjë nga provat e tij, duke dështuar të ngrejë dy herë 184kg dhe një herë 187kg. Për pasojë, ai nuk dha rezultat në këtë stil dhe gjithashtu në dygarësh, duke mos u përfshirë në renditjen përfundimtare.

The post Briken Calja i jashtëzakonshëm, medalje ari dhe argjendi në Europianin e peshëngritjes appeared first on Telesport.