Britania e Madhe ka njoftuar një paketë të re ndihme prej 23 milionë eurosh për të mbështetur infrastrukturën energjetike të Ukrainës, në një kohë kur vendi vazhdon të përballet me sulme të vazhdueshme ruse.

Kjo ndihmë vjen në përvjetorin e parë të partneritetit 100-vjeçar mes Londrës dhe Kievit, ndërsa lufta në Ukrainë po hyn në vitin e katërt. Me këtë financim të fundit, mbështetja totale britanike për sektorin energjetik të Ukrainës arrin në mbi 542 milionë euro.

Fondet do të përdoren për riparimin dhe mbrojtjen e rrjetit energjetik, si dhe për sigurimin e ngrohjes në shtëpitë e qytetarëve gjatë dimrit të ashpër.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaroi se partneriteti afatgjatë me Ukrainën përfaqëson vlera që, sipas tij, po sulmohen nga Rusia. Ai theksoi se Britania e Madhe do të vazhdojë të qëndrojë krah Ukrainës në planin politik, ekonomik dhe të sigurisë.

Edhe ministrja e Jashtme, Yvette Cooper, nënvizoi se mbështetja britanike është e palëkundur dhe se ndihma për sektorin energjetik është jetike për të mbrojtur civilët dhe për të garantuar funksionimin normal të jetës gjatë muajve të ftohtë.

Përveç ndihmës energjetike, Britania e Madhe ka njoftuar edhe zgjerimin e programit të binjakëzimit të shkollave, duke përfshirë 300 institucione të tjera arsimore në të dy vendet në tre vitet e ardhshme.