Skandale për ryshfet dhe korrupsion sërish po e tronditin sektorin e bujqësisë. Mbrëmë u arrestua drejtori i Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, Vase Anakiev, për shkak të dyshimit për marrje ryshfeti prej 50.000 euro. Anakiev është nënkryetar i Partisë Socialiste të Maqedonisë, lider i së cilës është Lupço Dimovski, zëvendëskryeministri aktual për sistem politik. Si drejtor ishte emëruar në korrik 2024. Ai “ra” në një aksion të policisë në koordinim me Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa dolën edhe fotografi nga arrestimi i tij. Reagoi ashpër Partia Socialiste e Maqedonisë në pushtet. Janë të zemëruar për rrjedhjen e fotografive nga arrestimi i funksionarit të tyre.
“PSM reagon ashpër ndaj etiketimit të hapur partiak të rasteve aktuale me akuza serioze dhe publikimit tendencioz të fotografive me të cilat shkelet dinjiteti njerëzor, për çka nga përgjegjësit kërkohet shpjegim i qëndrueshëm”, thonë nga PSM.
Nga partia i thërrasin institucionet të veprojnë sipas ligjit dhe pa selektivitet për çdo rast ku ka dyshime të bazuara për krim dhe abuzim. Reagoi edhe opozitarja Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë. Thonë se bujqit janë pa para sepse kriminelët në pushtet po i vjedhin.
“Kjo është vetëm një skandal tjetër në vargun që tregon se kriminelët në pushtet po i vjedhin qytetarët, po i vjedhin bujqit, dhe atë në mënyrë masive. Programi IPARD 3 me vlerë 130 milionë euro u pezullua pikërisht për shkak të skandalit korruptiv të VMRO-së ku drejtori i Agjencisë për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural u arrestua gjithashtu për ryshfet prej 50.000 euro”, theksojnë nga LSDM.
Nga VMRO-DPMNE thonë se ky është mesazh për të gjithë se me ligjin nuk ka lojë.
“Secili që është fajtor para ligjit, pa dallim nëse është nga LSDM, nga VMRO-DPMNE, apo nga ndonjë parti tjetër politike, duhet të përgjigjet. Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Njëkohësisht, e përshëndesim edhe aksionin e MPB-së dhe kjo është mesazh për të gjithë se me ligjin nuk ka lojë. Për më tepër, ne nuk presim që këtë ta kuptojnë kolegët nga LSDM sepse ata janë ende një bandë e njëjtë kriminale që dëshiron të vijë në pushtet vetëm për të vjedhur më shumë”, u shpreh Valentin Manasievski – anëtar i KQ të VMRO-DPMNE-së.
Anakiev është drejtori i dytë që arrestohet për ryshfet nga sektori i bujqësisë. Në nëntor të vitit të kaluar pësoi drejtori i atëhershëm i Agjencisë për mbështetje financiare në bujqësi, Ile Stoilev, për keqpërdorime me paratë e IPARD-it. Stoilevit i premtonin 50 mijë euro, ndërsa policia e kapi me 400 eurot e para që ia kishte dhënë ish-ministri Xhevdet Nasufi, i cili nga ana tjetër ofronte ryshfet prej 50 mijë euro për të pranuar një projekt të një kompanie nga Struga dhe për të marrë mjete nga IPARD. Përveç këtyre të dyve, ndër të akuzuarit ka edhe nëpunës shtetërorë nga DAP dhe bujqësia.
