Një vit më pas, vera e Hakan Calhanoglu ka një shije krejt tjetër. 12 muaj më parë, turku dukej se ishte jashtë Interit. Pas shpërthimit të Lautaro Martinezit pas eliminimit nga Botërori i Klubeve, çarja mes Hakan dhe një pjese të dhomës së zhveshjes dukej e pariparueshme.

Por ja që numri 20 zikaltër, në sezonin e sapopërfunduar, e rifitoi vendin e tij tek Interi, me organizimin e zakonshëm të lojës dhe shumë gola vendimtarë. Njëri prej tyre, veçanërisht ai ndaj Romës, qe për shumëkënd goli që solli kthesën përfundimtare drejt titullit kampion.

“Ishte një moment delikat për ne. Por nuk e di nëse vërtet ishte goli vendimtar, – rrëfen Calhanoglu në një intervistë të gjatë për “Gazzetta dello Sport”. – Gjithsesi, nuk është diçka e re për mua të provoj të gjuaj kur shoh hapësirë. Nuk rri të mendohem, por gjuaj. Është mënyra ime. Në të kaluarën, në kohën kur luaja te Hamburgu, kam shënuar edhe nga 40 metra, por atëherë me goditje dënimi”.

Si mësuat të gjuani në këtë mënyrë?
Një pjesë është talent, pjesa tjetër është stërvitja. Që kur isha fëmijë ushtrohesha me babain tim për fuqinë dhe saktësinë. Gjithmonë jam frymëzuar nga Juninho Pernambucano, më i miri. Më pas më përmirësoi një trajner i sektorit të të rinjve te Waldhof Mannheim, Stefan Gross. Ai është babai i Pascal, lojtarit të Brighton.

Kujt ia detyroni evoluimin tuaj në fushë?
E nisa me Giampaolon te Milani, për disa ndeshje. Por mendërisht nuk isha gati, e shihja veten si trekuartist. Më pas, tek Interi, kur Brozovic u largua, Inzaghi më tha se më shihte mirë si organizator të lojës. E provuam gjatë verës, funksionoi dhe ja ku jam.

E tashmja quhet Inter. Apo jo?
Unë jam i lumtur që ndodhem këtu në Milano, ku unë dhe gruaja ime jemi integruar shumë mirë, dhe tek Interi. Kemi shumë miq, fëmijët shkojnë në shkollë. E ardhmja, ndërkohë, nuk varet nga unë, por nga klubi.

Varet edhe nga ju…
Jo, sepse nuk ka pasur asnjë kontakt për rinovimin. Unë jam futbollist dhe mendoj të luaj futboll. Por në pesë vite mendoj se kemi bërë shumë gjëra të mira: 8 trofe dhe 2 finale të Champions League. Tifozët më duan dhe unë i dua ata. Do të shohim se çfarë do të ndodhë.

Atëherë, pse çdo vit nga Stambolli një trajner apo një president thotë se Calhanoglu dëshiron të luajë në Turqi?
Sinqerisht, nuk e kuptoj pse emri im përmendet. Unë jam kapiteni i kombëtares dhe mund të ndodhë që të flas me presidentë klubesh që më kërkojnë informacione apo këshilla për lojtarë të tjerë. Por me merkaton merret menaxheri im, nëse keni ndonjë dyshim, mund ta pyesni atë.

Tek Interi është rikthyer Stankovic, i cili mund të jetë pasardhësi juaj…
Jam i lumtur që është më i pjekur, e kupton më mirë futbollin. Mendoj se mund të mësojë ende nga të gjithë ne.

Cilin objektiv keni vendosur për sezonin e ardhshëm?
Të mbrojmë trofetë tanë. Pastaj objektivi-imazh, ëndrra ime, është të luaj një tjetër finale të Champions League. Për mua mund të përballemi me të gjithë, jemi të fortë.

Personalisht, çfarë dëshironi për veten?
Të kem më pak dëmtime. Më erdhi keq që humba kaq shumë ndeshje sezonin e kaluar. Fatkeqësisht, parandalimi ndonjëherë nuk mjafton, ekziston edhe rastësia.

Megjithatë, ishit vendimtar dhe shfaqët një kërcim spektakolar për titullin…
Ju më shihni serioz sepse gjatë ndeshjes jam shumë i përqendruar, por jashtë fushës jam një djalë normal. Muzika është pasioni im, më jep lumturi dhe entuziazëm. Kërcej me të dhe e dëgjoj me volum të lartë. Nuk di të këndoj, një herë, gjatë një programi televiziv, më dhanë mikrofonin. Më mirë të mos flasim…

Ndërsa aventura juaj e çmendur quhet “Harley Davidson”…
E vërtetë. Por më është dashur ta shes, sepse drejtori Ausilio më kërcënonte (qesh). Kjo do të thotë se di të dëgjoj. Kur të ndaloj së luajturi futboll, do ta blej përsëri motorin.

Çfarë do të bëni pas përfundimit të karrierës?
Ende nuk e kam vendosur. Me siguri nuk do të bëhem trajner. Ndoshta agjent lojtarësh ose drejtor sportive, por e shoh veten edhe si president të Federatës Turke.

Dhe me çfarë lidhet ky ndryshim i pamjes?
Kam bërë transplant flokësh. Shokët e skuadrës, madje edhe Modric në derbi, më ngacmuan për këtë. Sidoqoftë, mua më pëlqen kështu, tani ndihem më mirë.

The post Calhanoglu rrëfehet në 360 gradë: Rinovimi me Interin? Do të doja të qëndroja, por askush nuk më ka kontaktuar… appeared first on Telesport.