“Ranieri është një trajner veteran, që po jep këshilla për të gjithë. Ai dëgjohet dhe kuptohet nga lojtarët, sepse prek fijet e duhura. Ranieri është njeriu i duhur për të rikthyer qetësinë në ekip, te lojtarët dhe te tifozët. Po demonstron se e kupton shumë mirë futbollin, rezultatet janë pasojë logjike. Nuk është mosha për t’u kritikuar.
Shpeshherë në këto raste thuhet që një trajner është i përfunduar. Ishte i përfunduar Ancelotti, i cili tani te Real Madridi po fiton gjithçka. Ishte i përfunduar Ranieri, i cili po bën mirë te Roma. Përvoja është një cilësi e rëndësishme”.
Kështu u shpreh Fabio Capello, ish-trajner i Romës, Milanit dhe Real Madridit, një nga teknikët më të suksesshëm të futbollit italian, gjatë një interviste për “Radio Anch’io Sport”.
Lufta për titull: “Napoli mund të fokusohet vetëm te kampionati, mund të punojë për t’i përmirësuar pikat e forta dhe të dobëta gjatë javës. Kur një lojtar është i lodhur, ka mundësinë të stërvitet më pak. Conte ka një përvojë të madhe, arrin t’i mbajë të gjithë lojtarët në nivelin më të lartë. Në luftën për titull është edhe Atalanta. Me formacionin startues që hodhi në fushë në Superkupë, Gasperini më la përshtypjen se është shumë ambicioz për kampionatin. Interi ka shumë cilësi. Edhe kur i ndryshon lojtarët, niveli i cilësisë mbetet gjithmonë i lartë. Inzaghi mund t’ia lejojë vetes këto rotacione, ndonjëherë ndoshta e tepron, por rezultatet i japin të drejtë”.
Vështirësitë e Vlahovic dhe nevoja për Zirkzee: “Zirkzee është lojtari që lidh të gjithë lojën që dëshiron të bëjë Thiago Motta. Vlahovic nuk ka teknikë të madhe, është më shumë sulmues i zonës së rreptësisë. Nëse nuk e çon aty, bëhet e vështirë për të që të shënojë. Kur Motta e heq nga loja, e bën sepse mendon se Vlahovic nuk bën pjesë në sistemin e lojës që dëshiron të zbatojë. Është një zgjedhje si taktike, ashtu edhe teknike”.
Fundi i “muajit të mjaltit” mes Motta dhe tifozëve të Juves: “Ata i kanë dhënë besim të gjitha ideve të trajnerit, por për momentin rezultatet nuk janë ato që priteshin. Motta po kritikohet me të drejtë, edhe pse pjesën e parë kundër Milanit në Riad u pa Juventusi më i mirë i kësaj periudhe”.
Largimi i Fonseca nga stoli kuqezi: “Kur zgjidhet një trajner, gjithmonë mendohet se është bërë zgjedhja e duhur. Nuk ka pasur harmoni mes tij dhe skuadrës. Kemi parë gjëra që nuk i kishim parë kurrë te Milani. Kontrasti mes trajnerit dhe lojtarëve ishte i dukshëm që në fillim”.
Botërori për klube: “Finalja e Kupës Ndërkontinentale ishte shumë e bukur. Kishte më shumë tension për shkak të eliminimit direkt. Ky format i ri i Botërorit të Klubeve krijon mundësinë të luash më shumë ndeshje. Nuk ka tensionin që të jepte Kupa Ndërkontinentale. Tani ka më shumë ndeshje, më shumë biznes. Në fund të fundit është argëtuese të shohësh ekipe me nivel më të ulët që përballen kundër ekipeve superiore”.
E ardhmja e Capellos, kthim në pankinë: “Po më pëlqen shumë ajo që po bëj tani. Edhe disa vite më parë, me Pizzulin, duke komentuar kombëtaren, kemi kaluar momente shumë të bukura, brenda dhe jashtë fushës. Tani, pasi jam ‘i përfunduar’ për shkak të moshës që kam, nuk jam për në fushë (qesh). Si drejtues? Ndoshta mund të jap ndonjë këshillë të mirë. Shumë pronarë tani janë të huaj dhe nuk të japin kohë, të shkarkojnë menjëherë. Kjo metodë amerikane nuk më bind”.
Frattesi luan shumë pak: “Mund të kërkojë të largohet, sepse është një lojtar i shkëlqyer. Qëndrimi në stol nuk i pëlqen askujt. Megjithatë, Frattesi është një djalë serioz, i shkëlqyer, gjithmonë i gatshëm, nuk hyn në fushë duke bërë grimasa apo duke u shtirur sikur është i pakënaqur. Kjo është shumë pozitive për ekipin. Interi, që synon shumë objektiva, ka nevojë për Frattesi”.
Favoritët për Champions League: “Them City, Real dhe Inter. Realit i duhet të rikuperojë lojtarët në mbrojtje, problemi i vetëm për momentin është aty. City duket se ka humbur disi, por kur flasim për Champions, lojtarët aktivizojnë një shtysë tjetër. Nuk do të doja që City të vuajë presionin e vendimeve që do të merren nga federata angleze”.
Një eksperiencë e Ancelottit në Romë: “Roma tashmë e ka Ancelottin e saj romak, është Ranieri. Kam disa dyshime që Claudio do të bëhet drejtues. Nëse bën mirë, ndoshta do t’i propozojnë ta zgjasë kontratën edhe një vit. Ndoshta do të pranojë një rol menaxheri si në kampionatin anglez, mes fushës dhe zyrave. Alex Ferguson, me ndihmën e stafit, shkonte në fushë vetëm një herë në javë. Ranieri mund të bëjë të njëjtën gjë”.
The post Capello: Rezultatet e Juventusit nuk janë ato që priteshin, Motta po kritikohet me të drejtë appeared first on Telesport.