Sipas “The Athletic”, Red Bull Lajpcig dhe Shtutgarti janë dy klubet që kanë shfaqur interes konkret për sulmuesin shqiptar, Armando Broja. Ky i fundit sezonin e kaluar u huazua te Evertoni dhe është rikthyer në “Stemford Brixh”, por e ardhmja e tij duket larg klubit londinez. Lajpcigu e shikon 22-vjeçarin si zëvendësues të Çavi Simons dhe Benjamin Sesko, të cilët pritet të largohen gjatë kësaj merkatoje.
Ndërkohë, Shtutgart kërkon të zëvendësojë Nik Voltemejdin, që është në radarin e Bajern Munihut. Vlera aktuale e Brojës sipas “Transfermarkt” është rreth 12 milionë euro (10.4 milionë paund), ndërkohë që Çellsi mund të shfrytëzojë interesin e Lajpcigut për të ndikuar në negociatat për një nga yjet e tyre, sipas asaj që raportojnë mediat pranë klubit anglez.
Simons dhe Sesko janë dy nga emrat më të kërkuar të merkatos, me Lajpcigun që kërkon midis 80 dhe 100 milionë euro për shërbimet e tyre. Skuadra angleze tashmë ka përforcuar repartin ofensiv me afrimet e Liam Delap, Zhoao Pedro dhe Xhejmi Gitens, por e ardhmja e Nikolas Xhekson është ende e paqartë, ndërsa Noni Madueke është pranë kalimit te Arsenal.
Nëse Xhekson largohet, “Blutë” mund të kërkojnë një tjetër sulmues — dhe këtu ndoshta mund të vijë edhe një marrëveshje me Lajpcigun që përfshin Brojën si pjesë shkëmbimi.
The post Çellsi me plan konkret për të larguar Armando Brojën appeared first on Alsat.
