Centrali i vetëm i energjisë atomike në Iran është goditur nga një predhë e paidentifikuar, ka thënë operatori rus i centralit, duke shtuar se nuk ka pasur të lënduar apo rrjedhje rrezatimi, transmeton REL/RFE.
Kjo është hera e parë që centrali bërthamor i Bushehrit goditet që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Kompania shtetërore Rosatom tha në një postim në Telegram se sulmi ndodhi “më 17 mars, në orën 18:11 sipas kohës së Moskës”.
“Një sulm është kryer në territorin ngjitur me ndërtesën e shërbimit metrologjik, e vendosur në hapësirën industriale të centralit bërthamor Bushehr, në afërsi të menjëhershme të njësisë së energjisë në funksion”, thuhet në njoftim.
“Situata e rrezatimit në platformë është normale”, tha Rosatom, duke shtuar se nuk ka pasur viktima në mesin e punonjësve të saj.
Në përgjigje, International Atomic Energy Agency bëri thirrje për “përmbajtje maksimale”.
“Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, rithekson thirrjen për përmbajtje maksimale gjatë konfliktit për të parandaluar rrezikun e një aksidenti bërthamor”, tha agjencia në një postim në X.
Bushehri është centrali i vetëm bërthamor i Iranit. I vendosur në bregdetin verior të Gjirit Persik, ai furnizohet me uranium të prodhuar në Rusi, jo në Iran, dhe monitorohet nga IAEA.
Ndërkohë, mediat lokale izraelite raportuan më 18 mars se të paktën dy persona janë vrarë nga një sulm me raketa iraniane në Izrael, teksa Irani ka vazhduar të lëshojë raketa dhe dronë nëpër Lindje të Mesme.
Ky raportim vjen një ditë pasi u konfirmua vrasja e Ali Larijanit, një nga figurat më të fuqishme të Iranit dhe një njeri i besueshëm i udhëheqësit të ndjerë suprem, Ajatollah Ali Khamenei, në një sulm ajror në kryeqytetin Teheran.
Ngushtica e Hormuzit – nëpër të cilën kalon një e pesta e transporteve botërore të naftës – vazhdon të jetë e mbyllur për shkak të sulmeve kundër anijeve.
Presidenti amerikan, Donald Trump u kishte bërë thirrje shteteve në gjithë botën që të ndihmojnë në rihapjen e rrugëve detare për transport të naftës.
Por, së fundi ai tha se Shtetet e Bashkuara janë informuar nga shumica e aleatëve të tyre në NATO se nuk duan të përfshihen në operacionin ushtarak të vendit në Iran.
Ndërkohë, Joseph Kent, kreu i Qendrës Kombëtare Kundërterrorizmit të Shteteve të Bashkuara, tha se po jep dorëheqje për shkak të operacionit ushtarak në Iran.
Sulmet e Iranit ndaj shteteve lidere për prodhim të naftës së papërpunuar nëpër rajonin e Gjirit kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të çmimeve të energjisë në shumë shtete.
