Ai është quajtur influencuesi i Zotit. Shenjtori mbrojtës i internetit. Dhe tani Carlo Acutis është i pari i lindur në mijëvjeçarin e ri që shpallet shenjtor nga Kisha Katolike Romake.
Me 7 shtator, Papa Leoni XIV drejtoi kanonizimin e adoleshentit të pasionuar pas teknologjisë, i cili vdiq nga leucemia në vitin 2006.
Ky moment ka ngjallur shumë interes, sepse përmbys imazhin tradicional të një shenjti. Acutis nuk është një figurë biblike e lashtë apo një martir fetar nga Kryqëzatat. Ai krijoi një faqe interneti për të kataloguar mrekullitë. Me fjalë të tjera, ai është një shenjtor modern.
“Kanonizimi ka të bëjë me shenjtërinë, por gjithashtu edhe me përkatësinë,” thotë Kathleen Sprows Cummings, profesoreshë historie në Universitetin e Notre Dames dhe autore e librit A Saint of Our Own.
Ndërsa të rinjtë po largohen masivisht nga Kisha Katolike, nuk ka ndoshta figurë më të afërt me ta sesa shenjti i parë i lindur në mijëvjeçarin e ri. “Ai është një shenjtor tek i cili ata mund të shohin veten,” thotë Cummings. “Dhe ky është thelbi i shenjtorëve.”
Por çfarë duhet për t’u bërë shenjtor në epokën moderne? Ja si po përshtatet kjo praktikë shekullore me kohën.
Kush mund të bëhet shenjtor?
Në Kishën Katolike, shenjtëria është konfirmimi zyrtar se një person ka hyrë në praninë e përjetshme të Zotit, me pak fjalë, se ka arritur në parajsë duke jetuar një “jetë me virtyte heroike.”
Shenjtorët nuk dallojnë nga të tjerët në parajsë. Titulli thjesht ndryshon mënyrën si ata nderohen në Tokë: Kisha mund t’u ngrejë altarë ose t’u caktojë ditë përkujtimore.
Por jo të gjithë që kanë jetuar një jetë me virtyte të tilla do të shpallen shenjtorë. Kjo, sepse procesi është i gjatë dhe strategjik.
Çdokush mund të bëjë një kërkesë për shenjtor, por së pari duhet të bindë ipeshkvin se kauza është e vlefshme. Kandidati duhet të ketë vdekur të paktën pesë vjet më parë, megjithëse Papa mund të bëjë përjashtime.
Pasi të hapet kauza, hetuesit lokalë shqyrtojnë shkrimet e kandidatit dhe intervistojnë njerëzit që e kanë njohur, për të provuar virtytet e tij: besimin, shpresën, dashurinë, drejtësinë dhe guximin. Nëse këto konfirmohen dhe Papa e miraton, personi shpallet “i nderuar.”
Atëherë hyjnë në lojë mrekullitë. Kisha kërkon një mrekulli për ta lartësuar në “të lumturuar. Pas një mrekullie të dytë, ai ose ajo shpallet zyrtarisht shenjtor.
Çfarë konsiderohet mrekulli në epokën e shkencës?
Në shekullin XX, 99 për qind e mrekullive kanë qenë shërime mjekësore, shkruan mjekja dhe historiania Jacalyn Duffin. Kjo sepse janë më të lehta për t’u argumentuar sesa, për shembull, shumimi i bukëve dhe peshqve.
Për të provuar një shërim të mrekullueshëm, Vatikani mbledh një komision mjekësh që shqyrton dokumentet shëndetësore dhe dëshmon se nuk ka shpjegim shkencor.
Më e vështira është të provohet se shërimi ka ndodhur vetëm përmes ndërhyrjes hyjnore. Cummings thotë se Kisha është më e prirur ta pranojë një mrekulli kur një gjendje pa shpresë shërohet shpejt. Për t’i dhënë merita shenjtit, besimtarët duhet të betohen se janë lutur vetëm tek ai ose ajo.
Edhe këto mrekulli janë bërë më të ndërlikuara me zhvillimin e mjekësisë moderne. Në të kaluarën, duheshin katër mrekulli për t’u shpallur shenjtor, por Papa Gjon Pali II e uli numrin në dy, në vitin 1983.
Çfarë e bën një shenjtor të rëndësishëm sot?
Shenjtërimi është një nder i rrallë jo vetëm për shkak të burokracisë së Vatikanit (mrekullitë janë refuzuar edhe për gabime dokumentacioni), por edhe sepse ka të bëjë me ndikimin e shenjtorit dhe me nevojën e Kishës për të qëndruar aktuale.
Krijimi i shenjtorëve ka një rol të madh në ringjalljen e besimit katolik. Studiuesit e Harvardit Robert Barro dhe Rachel McCleary, në një analizë të vitit 2016 mbi të gjitha lumturimet dhe kanonizimet nga viti 1590 deri në 2009, treguan se sa më shumë të rritej popullsia protestante në një rajon, aq më shumë shenjtorë katolikë shpalleshin atje.
“Sipas të dhënave, që rreth vitit 1900, emërimi i të lumëve pasqyron një reagim të Kishës Katolike ndaj konkurrencës nga protestantizmi ose ungjillorët,” shkruan ata.
Pra, a është kanonizimi i Acutis-it gjatë Jubileut 2025 një kohë e rëndësishme pelegrinazhi, një mënyrë për të tërhequr të lindurit në mijëvjeçarin e ri sërish drejt Kishës Katolike?
“Sigurisht që po,” thotë Cummings. Sipas saj, kjo nuk e ul shenjtërinë e tij, por është një hap i natyrshëm, duke parë boshllëkun gjithnjë e më të madh mes brezave në besimin fetar./ National Geographic – Syri.net
The post Çfarë duhet për t’u bërë shenjtor në epokën moderne? appeared first on Alsat.
