Barcelona është fituesja e Champions League për femra këtë sezon. Vajzat katalanase mundën në finale Lyonin me shifrat 4-0, në finalen e luajtur në Oslo.
Kjo ishte finalja e gjashtë rresht e Barcelonës në Champions League, katër prej të cilave i ka fituar dhe dy i ka humbur. Nga këto gjashtë finale, tre kanë qenë kundër Lyon. Në dy prej tyre ka fituar Barcelona, në një francezet.
Pjesa e parë në Oslo u mbyll në barazim pa gola. Protagonistja kryesore e finales ishte sulmuesja polake, Ewa Pajor, e cila realizoi një dopietë në pjesën e dytë.
Fillimisht, në minutën e 55-të, pas një kundërsulmi të shpejtë, Pajor shënoi me një goditje të bukur me të djathtën brenda zone, pas asistit që mori nga Patricia Guijarro.
Në minutën e 70-të, Pajor dyfishon shifrat, pasi ndoqi deri në fund aksionin dhe e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë. Në minutën e fundit të kohës së rregullt ishte Salma Paralluelo që shënoi golin e tretë me një goditje të fuqishme me të majtën, në kufijtë e zonës së rreptësisë.
Në minutën e fundit të kohës shtesë, Salma Paralluelo shënon golin e dytë personal dhe të katërtin për Barcelonën e cila fiton për herë të katërt trofeun e Champions League.
The post CHAMPIONS LEAGUE FEMRA: Barcelona i jep leksione Lyonit dhe fiton për herë të katërt kupën veshgjatë (video) appeared first on Telesport.
