Federico Chiesa mund të rikthehet në Itali gjatë merkatos së janarit. Mediat angleze, veçanërisht “Daily Express”, raportojnë se ish-sulmuesi i Juventusit është objektiv konkret i Napolit, që synon ta përfshijë në projektin e Antonio Contes, për të forcuar skuadrën.
Chiesa u transferua te Liverpool-i gjatë verës, por eksperienca e tij në Premier League ka qenë larg pritshmërive. Taktikat e trajnerit Arne Slot dhe disa dëmtime e kanë kufizuar aktivizimin e tij në fushë. Statistikat flasin vetë: vetëm 123 minuta të luajtura në të gjitha kompeticionet, me një paraqitje të vetme në Premier League, që daton në shtator.
Sipas tabloidit britanik, Chiesa dëshiron të largohet nga “Anfield” për shkak të mungesës së hapësirave në skuadër. Napoli duket se është një opsion i përshtatshëm, pasi ai do të ribashkohej me Giovanni Manna, drejtorin sportiv aktual të klubit blu, i cili e njeh mirë nga periudha e përbashkët te Juventusi.
Mbetet për t’u përcaktuar formula e transferimit. Liverpool-i duket i hapur për një huazim, duke qenë se drejtuesit e klubit anglez ende nuk e kanë humbur shpresën për një të ardhme më të mirë për 27-vjeçarin italian.
The post Chiesa po rikthehet në Itali? Sulmuesi italian nuk ka hapësira në “Anfield”, del në skenë Napoli appeared first on Telesport.
