Çmimet e gazit natyror në Evropë janë rritur me rreth 120 për qind që nga fillimi i vitit, dhe me nivele të ulëta të magazinimit dhe rreziqe të ndërprerjeve të furnizimit, tregu evropian mund të jetë nën presion shtesë përpara dimrit.

Një valë tjetër e të nxehtit dhe temperaturat rekord po rrisin kërkesën për energji elektrike, dhe prodhimi i reduktuar në termocentralet bërthamore dhe hidroelektrike është dashur të kompensohet nga termocentralet me gaz, pikërisht në kohën kur duhet të mbushen objektet e magazinimit të gazit, shkruan portali Euronews me seli në Bruksel.

Presioni tashmë po reflektohet në çmimet me shumicë të gazit. Çmimi referues evropian i gazit, në tregun holandez TTF, është rritur me rreth 120 për qind që nga fillimi i vitit, duke arritur në rreth 63.7 euro për megavat-orë më 18 gusht.

Çmimet e gazit janë ende shumë poshtë rekordit prej 350 eurosh për megavat-orë të arritur gjatë krizës energjitike të vitit 2022 pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, por vendet evropiane po hyjnë në një periudhë magazinimi me inventarë nën nivelet normale për këtë kohë të vitit.

Impiantet evropiane të magazinimit të gazit ishin vetëm rreth 57 përqind të mbushura në fillim të gushtit, niveli më i ulët për këtë kohë të vitit.

Sipas rregullave të BE-së, objektet e magazinimit duhet të mbushen të paktën 90 përqind të kapacitetit, por anëtarëve u lejohet fleksibiliteti për të arritur këtë objektiv midis 1 tetorit dhe 1 dhjetorit, me mundësinë e përjashtimeve të mëtejshme në rast të kushteve të vështira të tregut.

Krahasuar me vitin 2021, Evropa uli konsumin e gazit me afërsisht 15 deri në 20 përqind.

The post Çmimet e gazit natyror dyfishohen që nga fillimi i vitit appeared first on Alsat.