Edhe pak ditë kanë mbetur nga dueli i 26 prillit, kur në stadiumin e Tottenham, në Londër, do të përballen mes tyre dy boksierët britanike Chris Eubank Jr dhe Conor Benn. Një sfidë që pritet me interes për shkak të hasmërive të vjetra mes dy boksierëve.
Në një deklaratë për “Sky Sport”, boksieri i pamposhtur Conor Benn (23 fitore e asnjë humbje) është zotuar se do të detyrojë Eubank të tërhiqet nga ringu. Ai shton se “arsyet personale” janë në qendër të grindjes së tyre.
“Ne jemi të fokusuar në të ardhmen. Jemi të fokusuar në përfundimin e asaj që kemi filluar” tha Benn. “Unë e urrej atë që ai përfaqëson. Unë e urrej atë që ai është si burrë, atë që ai po ndjek”, shtoi më tej Conor Benn.
“Për arsye që nuk janë publike, arsye personale mes meje dhe Chris, për të cilat ai është plotësisht i vetëdijshëm, unë nuk e pëlqej vërtet. Një sfidë është një sfidë. Është e qartë se ka interes edhe për historinë e baballarëve tanë, pasi molla nuk bie shumë larg pemës”, shtoi Benn.
Conor Benn dhe Chris Eubank Jr do të takohen tre dekada pas revansh mes baballarëve të tyre, revansh që doli barazim. Ndërkohë që sfida e parë mes baballarëve të tyre Chris Eubank Sr dhe Nigel Benn u fitua nga i pari.
“Mendoj se ka një përplasje të madhe personaliteti. Kjo nuk e ndryshon rezultatin e 26 prillit dhe atë që unë do t’i bëj atij. Është një luftë që nuk do të shuhej kurrë. Është në fuqi ende plani im të eliminoj Eubank”, tha Conor Benn.
“Kur ai humbet, ai duhet të tërhiqet. Nuk e kuptoj pse në këtë fazë të karrierës së tij ai do të zgjidhte të luftonte një peshë të lehtë për një titull botëror. Unë nuk kam humbur. Jam i pamposhtur. Ai nuk do të jetë humbja ime e parë. S’ka asnjë shans të humbas ndaj tij”, tha Benn.
The post Conor Benn mesazh Eubank: Do të qëndroj i pamposhtur dhe do ta detyroj të tërhiqet nga sporti appeared first on Telesport.
