Portieri belg i Real Madridit, Thibaut Courtois, foli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së Champions League kundër PSV-së, duke komentuar edhe rinovimin e kontratës: “Jam shumë i lumtur dhe krenar që kam firmosur për një vit tjetër. Synimi im është ta përfundoj karrierën këtu. Jam mirënjohës për besimin që më ka treguar klubi”.
A e konsideroni veten portierin më të mirë në historinë e Real Madridit?
Nuk duhet të jem unë, ai që e thotë këtë. Mendoj se jam në nivelet më të larta, por çdo epokë është e ndryshme. Nuk mund të krahasosh rregullat e sotme me ato të 20 apo 30 viteve më parë. Gjithsesi, jam krenar që jam pjesë e historisë së Real Madridit.
Si ka ndryshuar Mourinho me kalimin e viteve?
E njoh që kur isha 22 vjeç. Tani ka më shumë përvojë. Njeriu ndryshon me vitet. Ndoshta i përballon gjërat më qetësisht. Është njeri i qetë, por kur duhet të shprehë mendimin, e bën këtë. Siç ndodhi edhe ndeshjen e fundit gjatë pushimit mes pjesëve.
Si ju duken vërshëllimat e tifozëve kur luani jo mirë dhe Vinicius?
Tifozët paguajnë shumë para për të na parë dhe kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre. Standardet e larta e bëjnë të madh Real Madridin, edhe pse ndonjëherë mund të krijojnë dyshime te lojtarët. Vinicius? Ne e mbështesim njëri-tjetrin. Ai është i lumtur, vetëkritik dhe e di se duhet të punojë. Nuk mund të jesh gjithmonë numri 9 apo 10. Vetëm Messi dhe Cristiano ia kanë dalë, por unë e shoh Vinicius me shumë vendosmëri.
The post Courtois: Shpresoj ta mbyll karrierën te Real Madridi, e konsideroj veten ndër portierët më të mirë në histori appeared first on Telesport.
