Si ka arritur Cristiano Ronaldo të mbetet në formë të përsosur në moshën 40-vjeçare? Përkushtimi i tij ndaj trupit është ikonik, gjithçka e tij është e programuar deri në detaje: ushqimi, hidratimi, pushimi, stërvitja e personalizuar dhe çdo aspekt tjetër i jetës së përditshme.

Në “Euro 2021” u bë “viral” momenti kur ai largoi shishet e Coca-Cola-s dhe tha: “Ujë, pini ujë”. Kjo është vetëm një prej shprehjeve të mentalitetit të tij rigoroz dhe disiplinor.

Shokët e skuadrës e dinë shumë mirë se CR7 ka standarde të rrepta dhe këshillon të tjerët për çfarë duhet të hanë dhe çfarë duhet të shmangin. Nëse ha me të, do të vëresh se ai nuk i thyen asnjëherë këto tri rregulla:
Pa sheqer dhe pije të gazuara.
Pa alkool.
Vetëm ushqime të shëndetshme si mish pule, peshk, perime të freskëta dhe kafe të zezë.

Dieta është vetëm një pjesë e eliksirit të tij, e jetëgjatësisë në futboll. Nëse ndjek profilin e tij në Instagram, është e qartë se çdo minutë e ditës është e planifikuar për performancë maksimale.

Në një postim të fundit, ai shihet i shtrirë në divan, me çizme kriokompresive, të cilat ndihmojnë në rikuperimin muskulor. Po ashtu, në rezidencën e tij luksoze ka një dhomë speciale për seanca krioterapie, që përmirëson shëndetin e fibrave muskulore.

Për futbollistët modernë, palestra është një rutinë, por Cristiano është në një nivel tjetër. Ai stërvitet katër orë në ditë, pesë ditë në javë, duke kombinuar:
Ushtrime të intensitetit të lartë (HIIT).
Sprint dhe vrapime.
Çiklizëm.

Ronaldo ndjek një ritëm të personalizuar të gjumit, duke fjetur në pesë cikle prej 90 minutash, duke i dhënë përparësi cilësisë mbi sasinë.

Në një intervistë të fundit, ai pranoi: “Ende e ndiej pasionin për futbollin. Më pëlqen të stërvitem, të jem në fushë, të konkurroj… E di që kjo do të përfundojë, ndoshta pas një viti, dy ose tre. Nuk e di. Dhe nuk më intereson”.

Edhe agjenti i tij, Jorge Mendes, e konfirmon mentalitetin e hekurt të pesë herë fituesit të “Topit të Artë”: “Për Cristianon, nuk ka limite që nuk mund të arrihen. Kështu ka qenë për më shumë se dy dekada dhe ende vazhdon. Nuk ishte i kënaqur kur ishte 20 vjeç, as kur ishte 30, nuk është i kënaqur as tani që është 40 vjeç”. Ronaldo nuk ndalet. Dhe as mosha nuk e ndal atë.

The post CR7 dhe kujdesi maniakal për trupin në moshën 40-vjeçare, tri rregullat që nuk i thyen kurrë appeared first on Telesport.